Komisioni vlerësues i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) sot u mirëpritën në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se organizimi i Lojërave Mesdhetare shënon moment historik.
“Jemi shteti më i vogël që ndonjëherë ka shpallur kandidaturën për organizimin e Lojërave Mesdhetare.
Sot u konfirmua që jemi kandidat serioz për organizimin e tyre.
Edicioni i 21-të i kësaj ngjarjeje multi-sportive i bën bashkë sportistët dhe qytetarët e 26 shteteve të tri kontinenteve të cilët preken nga ujërat e Mesdheut.
Organizimi i tyre në Kosovë do të shënonte një moment historik jo vetëm për vendin, dhe jo vetëm për sportin.
Komisionin vlerësues të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), drejtuesit e të cilit i mirëpritëm
sot në kryeministri, i sigurova për mbështetjen, angazhimin dhe përkushtimin e Qeverisë në përgatitjet e kandidaturës sot, e në organizimin nesër të Lojërave Mesdhetare, Prishtina 2030”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në facebook.