Kosova kurrë nuk ka qenë më afër organizimit të Lojërave Mesdhetare.
Sinjalet janë pozitive.
Puna e frytshme e drejtuesve të Komitetit Olimpik të Kosovës, me presidentin Ismet Krasniqi dhe sekretarin e përgjithshëm Besim Aliti, ka bërë që Kosova të shtojë gjasat reale për të marrë organizimin e Lojërave Mesdhetare – “Prishtina 2030”.
Nëse i besohet Kosovës organizimi i Lojërave Mesdhetare, padyshim se shteti ynë, sporti në përgjithësi, do të jetë fitues më i madh, për faktin se do të ndërtohet infrastruktura sportive sipas standardeve ndërkombëtare.
Duhet theksuar se, javën që e lamë pas Komisioni vlerësues i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), i kryesuar nga presidenti i Komitetit Olimpik të Maltës, Julian Pace Bonello dhe sekretari i përgjithshëm i ICMG-së, Iakovos Filippousis kanë parë nga afër infrastrukturën sportive në vendin tonë për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Krasniqi dhe Aliti janë shumë afër realizimit të projektit të madh, që do të jetë fitorja më e madhe në histori jo vetëm për sportin në përgjithësi të Kosovës.
Të gjithë besojnë e shpresojnë se shtatori do të jetë muaji i lajmit të madh, muaji që Kosovës do t’i komunikohet lajmi i shumëpritur, për organizimin e Lojërave Mesdhetare.
Ismet Krasniqi dhe Besim Aliti, për punën dhe angazhimin që bënë javën që e lamë pas, janë personalitetet e javës.