Krasniqi kërkoi nga Lei të lidhin bashkëpunim në fushën e sportit me Kinën

Sporti

Krasniqi kërkoi nga Lei të lidhin bashkëpunim në fushën e sportit me Kinën

Më: 16 gusht 2023 Në ora: 14:12
Krasniqi dhe Lee

Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, ka pritur sot udhëheqësin e Zyrës Ndërlidhëse të Kinës në Prishtinë,Cheng Lei.

Presidenti Krasniqi, që shoqërohej nga anëtari i Bordit Ekzekutiv, Jeton Beqiri, njëherit kryetar i Federatës së Pingpongut të Kosovës, falënderoi mysafirin Lei për vizitën, derisa e njohu me sfidat dhe sukseset e sportit tonë, me theks të veçantë medaljet e arta olimpike, si dhe pjesëmarrjen tonë të fundit në Lojërat Olimpike Dimërore, të mbajtura në Pekin të Kinës vitin e kaluar.

Krasniqi kërkoi nga Lei që përmes Zyrës së tyre, KOK-u dhe Komiteti Olimpik i Kinës të lidhin bashkëpunim në fushën e sportit, për çka u pajtuan të dyja palët që në javët dhe muajt në vijim të bashkëpunojnë për detaje të mëtutjeshme.

Udhëheqësi i Zyrës Ndërlidhëse të Kinës në Prishtinë, Lei, duke përgëzuar presidentin Krasniqi për sukseset, u shpreh i gatshëm për të thelluar bashkëpunimin me KOK-un dhe lëvizjen olimpike në vend, në mënyrë që sporti të shërbejë si urë lidhëse për bashkëpunim mes dy vendeve.

Temë diskutimi ishte edhe suksesi i anëtarit të BE të KOK-ut, Jeton Beqiri, i cili ditë më parë ndau drejtësinë në njërën nga finalet e Lojërave Verore të Univerziadës Botërore, të mbajtura në Chengdu të Kinës.

Në fund të takimit, të dyja palët shkëmbyen dhurata mes vete.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat