​Aliti për Lojërat Mesdhetare: Ia dëshmuam botës fuqinë tonë

Sporti

​Aliti për Lojërat Mesdhetare: Ia dëshmuam botës fuqinë tonë

Më: 9 shtator 2023 Në ora: 15:08
Besim Aliti

Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti e ka cilësuar si fitore historike që dëshmon fuqinë e Kosovës në sytë e botës faktin që kanë arritur ta marrin organizimin e Lojërave Mesdhetare për vitin 2030.

Aliti ka thënë se kjo nuk është fitore vetëm për Komitetin Olimpik dhe sportin, por për të gjithë Kosovën.

Aliti: Ia dëshmuam botës fuqinë tonë

“Ia kemi dëshmuar gjithë botës se jemi një shtet i fuqishëm në sport dhe i gatshëm për të qenë organizator i një ngjarjes multisportive. Kjo është me të vërtetë e rëndësishme, sepse fuqinë e një Komiteti Olimpik apo një organizate sportive e tregon pikërisht gatishmëria, mbështetja e organeve qeveritare për ta organizuar një ngjarje multisportive…Po ndihem ekstrem krenar dhe i emocionuar jo vetëm për komitetin, kjo është fitore për të gjithë shqiptarët”, tha Aliti.

Aliti shtoi se Qeveria e Kosovës do të jetë bartësja kryesore në mbarëvajtjen e këtyre lojërave në Kosovë.

Aliti: Qeveria do të jetë akteri kryesor në planet për mbajtjen e Lojërave Mesdhetare

“Absolutisht po, ne i kemi garancionet e të gjitha institucioneve, jo vetëm që i kemi garancionet, por pikërisht qeveria me ministritë e veta, komunat dhe Komiteti Olimpik janë pjesa përbërëse organizative kështu që jo vetëm që presim mbështetje, por presim që ata të jenë pjesë kyçe e komitetit organizativ i cili ka për të organizuar, për të planifikuar fillimisht dhe pastaj për të zbatuar Lojërat Mesdhetare me infrastrukturën përcjellëse”, theksoi Ailiti.

Madje Sekretari i KOK ut u shpreh shumë i bindur edhe optimist.

Alit: Jam shumë optimistë se do jemi gati edhe me infrastrukturë

“Po mos të isha optimistë, nuk do të isha sot këtu”, tha shkurt Aliti.

Ndryshe, të shtunën, në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, Kosova mori të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 me 55 vota për, tetë kundër dhe tri abstenime. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat