Për herë të parë, Shqipëria është vendi pritës i Kupës Europiane të Shahut, eventi prestigjioz më i rëndësishëm në Europë, i cili ka sjellë në vendin tonë edhe legjendën botërore të shahut, ish-kampionin Garry Kasparov. Kasparov u prit në takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i dhuroi atij “Çelësin e Qytetit”
Gjatë takimit, kryebashkiaku Veliaj kujtoi qëndrimet e mëhershme të Kasparovit si aktivist, por edhe si mbështetës i zëshëm i Ukrainës.
“Sot nuk e kemi luksin të jemi indiferentë. Secili duhet të përpiqet, duhet të ketë një qëndrim.
Ndaj, të falënderoj për qëndrimet e tua. Për shumë prej nesh, që kemi qenë studentë në vitet 2000-2001 dhe kemi lexuar shkrimet e tua, ju keni qenë zëri i parë i fortë që tregoi se ç’përfaqëson Rusia, Putini dhe filozofia e një perandorie të mbetur në tentativë.
Ndonjëherë, shumë personalitete do të donin të mos u dilte profecia, por fatkeqësisht profecia doli.
Ajo që parashikohej, apo ajo që ju e ndjetë që në fillim, i ndodhi sot Ukrainës dhe pavarësisht se ne themi “Never Again” [Kurrë më], prapë ndodhin të njëjtat gjëra, që historia i harron shumë shpejt.
Në një shenjë miqësie dua t’ju dhuroj ‘Çelësin e Qytetit të Tiranës’, për respektin që kanë jo vetëm sportistët, por edhe aktivistët, për rolin tuaj, si simbol i një dere, zemre dhe mendje të hapur, për t’ju kujtuar se do të keni gjithmonë një shtëpi në Tiranë, ku e duan sportin dhe aktivizmin tuaj të jashtëzakonshëm”, u shpreh Veliaj.