Federatat e Pingpongut të Kosovës dhe Shqipërisë janë akorduar që nga ky vit të fillojnë me organizimin edhe të kampionatit individual të seniorëve, krahas kampionatit ekipor që është duke u organizuar disa herë që nga viti 2013.
Kampionati i parë individual mbarëkombëtar (KIM 1) do të organizohet në Kosovë më 18 e 19 nëntor, në prag të Festës së Flamurit dhe ditëlindjes së komandantit legjendar Adem Jashari, ndërsa kampionati ekipor do të zhvillohet në Shqipëri në fillim të vitit të ardhshëm.
Në KIM 1 do të marrin pjesë 32 lojtarë të dalluar nga Kosova dhe Shqipëria, me ndarje të barabartë 16 meshkuj dhe 16 femra nga secili vend. Përzgjedhja e lojtarëve do të bëhet bazuar në renditjen në ranglistat përkatëse të seniorëve.
Ceremonia hapëse e kampionatit do të organizohet sot nga ora 14:15 në shkollën “Tefik Çanga” në Ferizaj.
Kampionati është paraparë të fillojë nga ora 14:30 me ndeshjet në kategorinë e përzier, me pjesëmarrjen e 32 çifteve që do të garojnë në sistem eliminimi deri në shpalljen e kampionëve të parë të kësaj kategorie.
Më pas, KIM 1 vazhdon me kategorinë individuale faza e grupeve, lojtarët do të ndahen në 8 grupe meshkuj dhe 8 femra. Në secilin grup, 4 lojtarë do të ndeshen secili me secilin për dy vendet e para, që do t'u japin mundësi të vazhdojnë në fazën finale me eliminime.
Ditën e diele, më 19 nëntor, garat vazhdojnë me kategorinë e çifteve të meshkujve dhe femrave, me pjesëmarrjen e 16 çifteve nga secila kategori që do të garojnë në sistem eliminimi deri në shpalljen e kampionëve të parë të këtyre dy kategorive.
Pas përfundimit të garave të çifteve, do të fillojnë ndeshjet me sistem eliminimi 16 lojtarët më të mirë nga faza e grupeve të kategorisë individuale.
Si në të gjitha fazat e KIM 1, e posaçërisht në këtë pjesë të kampionatit, pritet të ketë shumë ndeshje të forta që supozohet se do të jenë atraktive, sfiduese e emocionuese derisa të shpallet kampioni dhe kampionia e parë e kampionatit individual mbarëkombëtar Kosovë/Shqipëri.