Ish-sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Tauland Hodaj ka thënë se në zhvillimin e futbollit të Kosovës po ndikon negativisht mungesa e infrastrukturës sportive.
Hodaj ka folur për këtë problematikë në Konferenca ndërkombëtare “Kufijtë e Lirisë së Fjalës”, ku nikoqire është Agjencia e Lajmeve KosovaPress.
Sipas tij, FFK ka investuar në stadiume vetëm me mbështetjen e UEFA-së.
Hodaj: Shteti nuk ka investuar në infrastrukturën sportive
“Sipas ligjit në Kosovë dhe gjithkund në botë, infrastruktura sportive i takon qeverisë dhe komunave, ata e bëjnë infrastrukturën sportive, stadiumet, ndërsa organizimin e lojërave e bëjnë federatat. Federata e Futbollit të Kosovës pasi nuk ka pasur investime është dashur vet me forcat e veta që të bëjë, ka krijuar disa fusha me fonde të UEFA-së, ka krijuar një kamp nacional në Hajvali që është dhe po pretendohet të ndërtohet një stadium që i plo9tëson kriteret për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare, ak ndërtuar shumë fusha stërvitore”, ka thënë Hodaj.
Ai ka shtuar më tutje se zgjidhja për këtë është një bashkëpunim ndërmjet shtetit, federatës dhe bizneseve.
Hodaj: Kemi shume stadiume të shndërruara në gërmadha
“Institucionet tona publike duhet të jenë më të hapura në inovacione dhe kreativitet dhe tek partneriteti publiko-privat sepse fatkeqësisht kemi dështuar në infrastrukturë, kemi stadiume gërmadha tash e 10-15 vite dhe askush nuk është marrë, pastaj kemi shembuj të tjerë edhe kur kemi qenë me ministrin në UEFA dhe FIFA na kanë dhënë shembull, duhet të bashkëpunoni qeveri-federatë-biznes. Pa këto të tria nuk mundeni, ju duhet të jeni të hapur”, ka thënë Hodaj.
Në panelin e dytë, folës është presidenti i Bordit të Prishtina MALL, Fatmir Zymberi, udhëheqësi i Kolegjit UBT Edmond Hajrizi, profesoresha universitare Besa Luzha, Kushtrim Krasniqi nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Tualant Hodaj nga Federata e Futbollit të Kosovës, të cilët do të paraqesin pikëpamjet rreth mundësisë së krijimit të sinergjive për mbështetje të iniciativave inovative që avancojnë prosperitetin shoqëror.