Në qytetin e Shkodrës u zhvillua Kampionati Kombëtar i Gjimnastikës Artistike për meshkuj e femra, një event që mblodhi sportistët më të mirë. Një event mjaft i rëndësishëm organizuar nga Federata Shqiptare e Gjimnastikës, që si risi kishte pjesëmarrjen e një grupi gjyqtarësh të huaj.
Në këtë kampionat merrnin pjesë disa klube e shoqata sportive nga Tirana, Shkodra, Berati dhe Korça. Mes sportistëve pjesëmarrës në kampionat ishte edhe gjimnasti elitar Matvei Petrov, i cili përfaqëson Shqipërinë në garat ndërkombëtare dhe ka fituar disa medalje.
Te vajzat, për kategorinë 7-8 vjeç, si ekip fitues doli “Gjimnastik Xheni” e Tiranës. Për kategorinë e moshës 9-10 vjeç, fitues doli shoqata “Gjimnastika” e Shkodrës, ndërsa për kategorinë e moshës 11-12 vjeç kupa iu dha Tomorit të Beratit. Te kategoria 13-14 vjeç, sërish kupa si ekip i shkoi “Gjimnastikës” së Shkodrës. Mirë u paraqit edhe ekipi i Marin Barleti për moshën mbi 15 vjeç.
Te djemtë, fitues të vendeve të para për të tri kategoritë e para dolën nga shoqata “Gjimnastika” e Shkodrës: Deni Ndoja i kategorisë 8-9 vjeç, Oerdi Metani i kategorisë 10-11 vjeç dhe Paolo Zefi i kategorisë 12-13 vjeç. Për kategorinë 14-15 vjeç, fitorja shkoi për gjimnastin Dion Muçogllava i Tomorit të Beratit.
Muçogllava, pak kohë më parë përfaqësoi Shqipërinë në kategorinë e moshës së tij në Kampionatin Europian të Gjimnastikës Artistike për meshkuj, turne që u zhvillua në Rimini, Itali (në muajin prill). Fitues i kategorisë për të rritur doli kampioni Matvei Petrov, performanca e të cilit tërhoqi vëmëndjen e të pranishmëve.
Për t’u veçuar se në këtë kampionat u ndanë edhe disa vlerësime mirënjohjeje për disa ish-gjimnastë të qytetit të Shkodrës, të cilët ndër vite kanë dhënë kontributin e tyre të vyer në këtë sport kaq të bukur e të vështirë.
Fitueset 7-8 vjeç
1-Gleren Sevdari, Tomori
2-Angela Preka, Sky 07 Gym
3-Briana Domi, Gjimnastikë Xheni
Fitueset 9-10 vjeç
1-Mishela Bitanji, Gjimnastika
2-Viktoria Simoni, Sky 07 Gym
3-Chloe Qinanaj, Gjimnastikë Xheni
Fitueset 11-12 vjeç
1-Merilin Islami, Gjimnastika
2-Nil Elbasani Gjimnastikë Xheni
3-Kloa Trebicka, Gjimnastikë Xheni
Fitueset 13-14 vjeç
1-Klea Marku, Gjimnastika
2-Sara Moleci Gjimnastika
3-Serena Kraja, Gjimnastika
Fituese mbi 15 vjeçe
1-Eralda Zemanaj, Marin Barleti
2-Orkinda Gjoka, Marin Barleti
3-Françeska Kodra, Skënderbeu