Hiç më pak se me 17 medalje Kosova është rikthyer nga Kampionati Ballkanik e Kick boksit i zhvilluar më dy dhe tre qershor në Bar të Malit të Zi. Një e artë, nëntë të argjendta dhe shtatë të bronzta ishte bilanci tejet pozitiv me të cilën Federata e Kick Boksit të Kosovës e mbylli ekspeditën e saj në këtë kampionat,
Medaljen e artë e rrëmbeu kick boksieri Fatlind Ejupi i cili në finale e mposhti bindshëm rivalin e tij nga Bosnja e Hercegovina Davud Velic i cili u dorëzua që në raundin e parë.
Menjëherë pas meçit, Ejupi tha për KosovaPress se kjo medalje për të është e një rëndësie të veçantë.
“Medalja e artë për mua është shumë e rëndësishme si për mia ashtu edhe për Kosovën. Është një krenari e madhe që ta përfaqësojë Kosovën në garën ballkanike në një federatë të fortë siç është Ovako, po ashtu është një shtytje e imja dhe një motivim për të ardhmen që mos të ndalem. Mund të them se e kam pritur sepse përgatitjet kanë qenë shumë të mira, kanë qenë jo aq të lehta me trajnerin Marjan Havolli”, tha Ejupi.
Medalje elitare në Ballkanikun e Kick Boksit rrëmbeu edhe Dalmat Salihaj. Ai u stolis me medalje të argjendtë, edhe pse deklaroi se hyri në luftë me qëllimin për ta fituar të artën.
“E kërkova me ngulm medaljen e artë…Jam i kënaqur deri diku me vendin e dytë në Kampionatin Ballkanik por shpresoj që herën tjetër të vazhdojë medaljen e artë. Stërvitjet dhe përgatitjet kanë deri diku në gjysmë prandaj nuk ishte mundësia më e mirë për të dhënë maksimumin tim…Është ndër ndjenjat më të mira, nuk ekziston diçka tjetër se sa kur përfaqëson vendin tënd në Evropian e Kampionat Botëror që të shihet flamuri ynë në çdo vend”, tha Salihaj.
Shumë i kënaqur me suksesin e garuesve u nda kryetari i Federatës së Kick boksit të Kosovës, Fatmir Makolli. Ai u shpreh i bindur se po të drejtësia më në nivel, Kosova do të rrëmbente edhe më shumë medalje
“Unë jam shumë i kënaqur si kryetar i Federatës se Kick Boksit të Kosovës. Garuesit tanë e kanë dhënë maksimumin, ndonjëherë kanë dalë edhe nga vetja për të arritur të kërrin suksese sa më të mëdha dhe të stolisen edhe me medalje të arta. Besoj se po të ishte drejtësia më në nivel ne do të kishim edhe më shumë medalje të arta.. Të arrish t’i fitosh 17 medalje në një Kampionat Ballkanik, kjo është një sukses shumë i madh”, theksoi Makolli.
Të kënaqur me paraqitjet e garuesve u shprehën dy selektorët e Kombëtares së Kosovës në Kick boks, Ilir Menxhiqi i seniorëve dhe Nysret Salihaj u juniorëve.
“Unë si trajner i seniorëve jam shumë i kënaqur me paraqitjen e garuesve, secili ka treguar rezultate të mira, paraqitje shumë të mira, disiplinë të mirë, kështu që kjo garë le të jetë një motiv për ne që garat e ardhshme të kemi më shumë suksese”, tha Menxhiqi.
“Ne kur patëm medalje, nuk po e ndjejmë lodhjen sepse me të vërtetë kemi pasur rezultate shumë të mira. I kemi marrë 17 medalje gjithsejtë, një të artë, nëntë të argjendta dhe shtatë të bronzta...Të gjithë kanë treguar luftëra të mira, performancë shumë të mirë, disa vendet e dyta e të treta, por unë jam ndarë shumë i kënaqur”, theksoi Salihaj..
Përveç garuesve, Kosova në këtë kampionat u përfaqësua edhe me gjyqtarin Buraj Grajqevci i cili ndau drejtësinë në mbi 50 luftëra.
Më poshtë gjeni listën e të gjithë kick boksierëve që kanë fituar medalje:
Medalja e artë: Fatlind Ejupi
Medalje të argjendta: Dalmat Salihaj, Art Dulaj, Gent Hyseni, Nart Mehmeti, Erinda Veliu, Shkurte Ismajli, Milot Pllana, Gzim Behrami dhe Diellza Mahalla
Medalje të bronzta: Doneta Menxhiqi, Artor Mehmeti, Ermal Ferati, Rron Kasumi, Milot Hergaja, Omat Thaqi dhe Zan Krasniqi.