Komiteti Olimpik i Kosovës po shënon Ditën Botërore të Sportit dhe Ambientit duke shënuar aktivitete të ndryshme sportive në Prishtinë. Kjo ditë po konsiderohet shumë e rëndësishme për ruajtjen e shëndetit, por edhe për mesazhin për ta ruajtur një ambient të pastër.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, deklaroi se sporti ka një rol të jashtëzakonshëm në promovimin e shëndetit, edukimit dhe vlerave të mirëqenies sociale.
Krasniqi: Sporti është mjet që promovon shëndetin
“Sporti ka një rol të jashtëzakonshëm në promovimin e shëndetit, edukimit dhe vlerave të mirëqenies sociale. Është një mjet i fuqishëm për të sjellë bashkë komunitetet, për të zhvilluar aftësitë profesionale dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë. Nga ana tjetër, mbrojtja e ambientit është një përgjegjësi që u përket të gjithëve që kërkon veprime të përbashkëta dhe të koordinuara”, tha Krasniqi.
Kurse, drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Iber Alaj theksoi se ambienti duhet të ruhet nga të gjithë.
Alaj: Të lobojmë që ta ruajmë ambientin
“Kjo ditë e cila shënohet në edicionin e 14-të ka për mesazh që të kemi një mjedis të pastër i cili duhet të ruhet nga ne të gjithë pjesëmarrësit të cilët jemi në këtë ambient. Prandaj, ta ruajmë mjedisin, të lobojmë që të kemi një mjedis të pastër”, tha Alaj
Drejtori i Drejtorisë së Sportit në Komunën e Prishtinëës, Bardh Krasniqi, tha se do të mbështeten të gjitha aktivitetet sportive, por edhe ato për ruajtjen e ambientit.
Krasniqi: Marrja me sport ndihmon në të gjitha sferat e jetës
“Këtë vit jemi edhe qytet evropian i sportit dhe për ne si komunë dhe si komunitet dhe për të gjithë është e rëndësishme gjithëpërfshirja dhe këtë po e shoh këtu tek të gjithë fëmijët dhe komuniteti sportiv. Me një mesazh them që të merreni me sport më shumë sepse kjo ju ndihmon në të gjitha sferat e jetës dhe gjithsesi ta ruajmë ambientin sepse aty i zhvillojmë sportet. Komuna do të vazhdojë t’i mbështesë të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me sportin, sidomos drejtoria e sportit që është e dedikuar për këtë”, deklaroi Krasniqi.
Gjatë ditës së sotme, do të bëhet mbjellja e pemës olimpike 2024, aktivitet që organizohet para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Pema do të mbillet nga kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi.