Shaban Tërstena, kampion olimpik në vitin 1984 dhe nënkampion olimpik në vitin 1988, dje u prit përzemërsisht nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Sportisti më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave, ish mundësi i mirënjohur, është jashtëzakonisht i kënaqur që pas 24 viteve një kryeministër i Kosovës, e ka ftuar dhe drekuan së bashku duke biseduar për shumë çështje.
“Pas 24 vitesh, dje në Prishtinë isha i ftuar për herë të parë nga Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti në një drekë të përbashkët, ku u realizua një takim i përzemërt dhe siç iu ka hije dy burrave.
Kështu qenka jeta në shoqërinë tonë, çdo herë ka një fillim dhe një mbarim dhe përsëri vjen koha e një fillimi të ri, çdo herë vjen një ditë dhe një gjeneratë e re, që janë njohës dhe përkrahës i denjë të sportit, kulturës dhe artit, që din të vlerësoj dhe të respektoj sukseset e arriturat më shumë sakrifica në kohërat më të vështira.
Biseduan gjer e gjatë për shumë tema, më shumë më erdhi befasi që kryeministri Kurti i dinte të gjitha në çdo detaj, në çdo fitore, edhe në ato sekonda e para kur u bëra kampion olimpik dhe nga gëzimi i madh në ato momentet e gëzimit i pata bërë disa herë salto.
Natyrisht biseduam për ditën historike, 40 vjetorin e shpalljes dhe fitores time si kampion olimpik, në emrin tim i urova kryeministrit dhe zëvendësministres së kulturës, rinisë dhe sportit, Daulina Osmani që kanë fituar besimin që do të jenë organizator e Lojërave Mesdhetare për vitin 2030.
Është një krenari e madhe, me këtë organizim do të shkojë shumë para, çdo qytet i Kosovës do të ketë infrastrukturën më moderne evropiane brenda shtatë viteve, këto të kryhen që ti mirëpresin me krenari 15 mijë sportistë nga 26 shtete mesdhetare.
Kjo është një sukses shumë i madh për një shtet, për pak vite dhe arrijnë që t’i lënë pas shumë shtete e me traditë ballkanike, kjo do të thotë që të gjithë ju jeni me plot energji dhe vullnet për ta dërguar këtë vend përpara.
Natyrisht biseduam edhe për simbolin e sportit olimpik që do të mbahet në Paris nga 26 korriku deri me 11 gusht. Pak janë fjalët të flasë për tre vajzat legjendare nga Peja - Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Distria Krasniqi ku treguan krenari se me punë, disiplinë i kanë arritur majat më të larta të sportit, duke fituar tri medalje të arta olimpike e duke iu falënderuar punës dhe profesionalizmit të trajnerit Driton Kuka.
Kështu që këto suksese nuk erdhën vetëm me lavdërata, me reklama apo me gënjeshtra por është fryt i punës, sakrificës dhe përkushtimit të vëllezërve Driton e Agron Kuka. Jo rastësisht thonë njerëzit e mëdhenj, ata që kanë vullnet dhe ia arrin qëllimin.
Edhe këta ashtu edhe unë kam qenë në kohëra më të vështira, pa kushte por me shumë vullnet e sakrificë, ia arrita duke fituar shumë medalje shumë trofe e shumë tituj deri në maje të olimpiadës.
Në fund, pas shumë diskutime, ku e falënderova kryeministrin Kurti për ftesën për drekën e përbashkët, për vlerësimin dhe me shumë krenari e ftova kryeministrin që me 10 gusht të jetë në ekspozitën time për 40 vjetorin jubilar me 40 fotografi në
Çarshinë e vjetër të Shkupit, gjegjësisht në Galerinë Nacionale, Hamamin e Daut Pashës, kur atë ditë me 10 gusht të vitit 1984 unë si një djalosh i ri fitova medaljen e artë olimpike.
Kryeministrit Kurti nga zemra ia dhurova librin tim monografik edhe pse ai dinte shumë historinë time dhe e nderova me mirënjohjen përkatësisht me medaljen olimpike për ditën e 40 vjetorit – jubilarin”, ka shkruar Tërstena në profilin e tij një facebook.