Sportisti më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave, Shaban Tërstena, kampion olimpik në vitin 1984 dhe nënkampion olimpik në vitin 1988, kujton vitet të arta të tij.
Tërstena ka treguar një ngjarje interesante para 40 viteve, para Lojërave Olimpike në Los Anxhelos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Çdo foto ka historinë e vet...
Edhe disa ditë do të fillojnë Lojërat Olimpike Paris 2024.
Po ju tregoj një histori timen Olimpike me një foto, 40 vjet më parë, ku për mua kjo fotografi vlen sa 1000 fjalë.
Babai im që në fillim ishte kundër që unë të merresha me sporte luftarake.
Fatkeqësisht babai nuk e dinte ku po shkoja, unë nuk e pata atë gëzim rinor, si çdo prind që fëmijët e tyre, që po merë pjesë në Lojërat Olimpike, që të më përqafon dhe të më uronte suksese dhe të më jepte kurajo nga zemra e të më thoshte rruga e mbarë djali im Zoti qoftë me ty djali im të kthehesh me fitore dhe medalje olimpike.
Edhe pse këto fjalët e babit tim nuk i mora, por unë i kisha në zemrën time fjalët e babait pasi që çdo prind shpirtërisht fëmijës së tij i dëshiron të mirat e botës”, ka përshkruar Tërstena vitet e arta të tij.
Tërstena është kampioni më i ri olimpik dhe rekord i pathyeshëm që nga viti 1984.
“Por të dashurit e mi, familja dhe miqët pas kthimit nga Amerika në zemrën e Shkupit, atë ditë kur u bëra në moshën 19 vjeçare kampioni më i ri në historinë e Lojërave Olimpike 1984. Ishte i pari babai im që më priti dhe më përqafoi, më uroi me lot gëzimi për fitoren madhe të medaljes së Artë Olimpike.
Nuk do t'i harroj kurrë fjalët e tij, kur më tha të lumtë bir, më bëre të ndihem shumë krenar me ty, bravo biri im edhe pse je rritur me kushte jo të mira, por ti biri im ja dole të bëhesh kampion.
Është vërtet krenar për çdo prind kur djali i tij apo fëmijët e tyre arrijnë majat e sportit olimpik. Tani kanë kaluar 30 vite pa babin tim, Zoti e mëshiroftë shpirtin e tij dhe e shpërbleftë me gradën më të lartë në Parajsë.
I dashur baba, shumë shpejt do të festohet kjo ditë e madhe, me një ekspozitë historike sportive për 40 vjetorin e medaljes së Artë Olimpike, e cila më 10 gusht 2024 do të festohet me 40 foto nostalgjike sportive,, duke përfshirë 20 vjet të jetës së djalit tuaj nëpër arenat sportive botërore.
Shumë faleminderit babai nga djali juaj Sh.T.”, ka kujtuar Tërstena vitet e arta.