Lojërat Universitare Europiane 2024, Shqipëria me 2 medalje

Sporti

Lojërat Universitare Europiane 2024, Shqipëria me 2 medalje

Më: 27 korrik 2024 Në ora: 12:47
Pamje

Në Hungari është zhvilluar edicioni i 7-të i Lojërave Universitare Europiane, event i mbajtur më datat 12-24 korrik në qytet Debrecen dhe Miskolc.

Kjo ishte ngjarja më e madhe sportive universitare e organizuar në Europë me mbi 4,500 atletë, nga 414 universitete dhe 36 vende që garuan në 17 sporte të ndryshme, dhe mbi 800 vullnetarë që kontribuuan në organizimin e suksesshëm të ngjarjes. Delegacioni shqiptar i përbërë nga 50 studentë nga universitete publike dhe private garuan në: futboll, taekuondo, volejboll plazhi, pingpong dhe tenis.

Studentët e Universitetit “Fan S. Noli” të Korçës shkëlqyen në turneun e meshkujve në “Taekwondo Kyorugi”, duke fituar dy medalje. Tedi Likomeni fitoi medalje argjendi, për ta ngjitur flamurin shqiptar në shkallën e dytë të podiumit. Likomeni spikati me paraqitjet e tij gjatë garave teksa mposhti dy kundërshtarët nga Portugalia dhe me vetëm një humbje përball rivalit nga Kroacia, u rendit i dyti.

Ndërsa Gledis Buba ia doli të fitonte medalje bronzi. Ai triumfoi ndaj kundërshtarëve nga Gjermania dhe Anglia, ndërsa u mposht në sfidën me kundërshtarin nga Portugalia, për t’u renditur në vend të tretë.Ngjitja e studentëve kuqezi në podiumin e fituesve për të marrë medaljet respektive ishte një moment krenarie dhe emocioni, teksa sportistët shqiptarë treguan profesionalizëm dhe talent në Lojërat Universitare Europiane.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat