Reagon Koreja e Jugut

Sporti

Reagon Koreja e Jugut

Më: 27 korrik 2024 Në ora: 14:26
Pamje

Organizatorët e Lojërave Olimpike kanë kërkuar falje pasi që sportistët e Koresë së Jugut gabimisht u prezantuan si sportistë të Koresë Veriore gjatë ceremonisë hapëse të mbajtur të premten në Paris, raporton “BBC”.

Ndërsa ekipi po parakalonte duke valuar flamujt e Koresë Jugore, si spikeri francez ashtu edhe ai anglez i prezantoi si sportistë të “Republikës Demokratike Popullore të Koresë”, emri zyrtar i Koresë Veriore. 

Emri i njëjtë më pas u përdor – saktë – kur delegacioni i Koresë së Veriut lundroi përgjatë  lumit Sena. 
Dy Koretë janë ndarë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, ndërsa tensionet mes dy shteteve kanë përshkallëzuar së fundi. 

Ministria e Sportit e Koresë së Jugut ka thënë se planifikon të dërgojë “ankesë të fuqishme te Franca në nivel qeveritar” për shkak të gafës. 

Në komunikatë thuhet se zëvendësministri i dytë i sportit, Jan Mi-Ran, ka kërkuar një takim me kreun e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach. 

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka kërkuar falje publike në llogarinë e saj zyrtare në gjuhën koreane. 

“Ne duam të kërkojmë falje thellësisht për gabimin që ka ndodhur gjatë prezantimit të delegacionit të Koresë së Jugut në ceremoninë hapëse”. 

Koreja e Jugut në Paris garon me 143 sportistë në 21 sporte të ndryshme. Koreja e Veriut ka dërguar 16 sportistë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat