Shaban Tërstena, ish mundësi i mirënjohur, pothuajse fluturoi nga gëzimi, që xhudistja e Kosovës, Distria Krasniqi, ka fituar medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike – “Paris 2024”.
Sportisti më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave, Tërstena, kampion olimpik në vitin 1984 në Los Anxhelos të SHBA-ve dhe nënkampion olimpik në vitin 1988 në Seul të Koresë së Jugut, tha se nuk ka më mirë se kur tani shqiptaria ka dy sportistë me dy medalje të nivelit më të lartë në Lojërat Olimpike, të artën dhe të argjendtën.
Shaban Tërstena dhe Distria Krasniqi, të artët e të argjendtët në Lojërat Olimpike.
“Oh Zoti i madh, shyqyr që na ke bërë shqiptar, edhe pse me qindra vjet na kanë sunduar e na kanë shtypur, por jemi ne ata sportistë që i kemi bërë krenar kombin tonë, kemi fituar dy medalje olimpike, njëra të artën dhe të argjendtën olimpike - Distria Krasniqi.
Të artën në Lojërat Olimpike - Tokio 2021 dhe para pak çastesh të argjendtën në Lojërat Olimpike - Paris 2024.
Edhe unë si një djalosh i ri, isha i pari para 40 viteve, që fitova medaljen e artë olimpike dhe të argjendtën në Seul në vitin 1988.
Nuk kam çka të them tjetër, historia e madhe shkruhet me vepra e jo me fjalë. Më shumë respekt për të gjithë njerëzit e mirë”, ka shkruar Tërstena në profilin e tij në facebook.