Kreu i delegacionit olimpik ukrainas vuri në dukje numrin e kufizuar të sportistëve rusë në Lojërat Olimpike të Parisit, të cilët duhet të garojnë si neutralë, pasi lufta mes dy vendeve zvarritet për të tretin vit.
Vadym Guttsait tha në një intervistë për AP se Ukraina filloi përpjekjet për të reduktuar numrin e atletëve rusë dhe bjellorusë pasi forcat e Kremlinit pushtuan Ukrainën në vitin 2022 dhe vazhduan deri në fillimin e Lojërave në Paris.
"Gjatë luftës, ata nuk kanë vend në botën ndërkombëtare. Sepse çdo ditë njerëzit tanë, gratë dhe fëmijët vriten. Çdo ditë na bombardojnë dhe raketat fluturojnë mbi vendin tonë”, tha Guttsait.
Vetëm 15 atletë rusë janë regjistruar për Lojërat dhe ata nuk do të përfaqësojnë zyrtarisht Rusinë.
Duhet mbajtur mend se Rusia dhe Bjellorusia fqinje u ndaluan të dërgonin ekipe kombëtare për shkak të luftës në Ukrainë.
Prandaj atletët e lejuar të konkurrojnë nga ato vende e bëjnë këtë si neutralë, duke përfshirë yllin e tenisit Daniil Medvedev, i cili fitoi US Open në 2021. "Nuk janë asgjë. Për ne kjo tashmë është një fitore”, tha Guttsait për praninë e Rusisë në Paris 2024.