Legjenda e sportit shqiptar, Shaban Tërstena, ish mundësi i mirënjohur, kampion olimpik në vitin 1984 dhe nënkampion olimpik në vitin 1988, ka një lutje interesante për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Alnin Kurti,
Sportisti më i mirë i të gjitha kohërave, Tërstena, tha se trajnerit më të mirë në botë, Driton Kuka, t’i ngritet një përmendore në zemër të Prishtinës.
Driton Kuka me xhudistet e tija, ka thyer të gjitha rekordet, pesë medalje olimpike në tri olimpiadat e fundit (tri të arta, një të argjendtë dhe një të bronztë).
“Driton Kuka, ky heroi i gjallë me zemrën e Adem Jasharit, i ka sjellur nga Kampionatet Evropiane edhe 9 medalje të arta, 3 të argjendta dhe 16 medalje të bronzta, nga Kampionati i Botës ka sjellur 2 medalje të arta dhe 6 medalje të bronzta.
Prandaj, unë si sportist i Shekullit -XX-, kam një lutje për presidenten e Kosovës, znj. Vjosa Osmani dhe kryeministrin z. Albin Kurti, që në zemër të Prishtinës të bëhet një përmendore për Driton Kukajn që me punën dhe djersën e tij Made in Kosova, për krenarinë e kombit shqiptar, që as bota e fuqishme nuk kanë arritur për pak vite që të sjellin gjithsej 40 medalje nga sporti luftarak”, ka shkruar Tërstena në profilin e tij në facebook.