Memedali Egriu dibrani 51 vjeçar arrin rekordin e tij duke notuar 24 kilometra në Liqenin e Dibrës së Madhe 16 orë pa ndërprerje.
Ky maratonist dibran maratonën në Liqenin e Dibrës së Madhe e filloi të premten më 2 gusht në ora 23 dhe duke e përfunduar të shtunën me 3 gusht 2024 në orët e pasdites, që do të thotë se Memedali Egriu notoi 24 kilometra pa ndërprerje.
Memedali Egriu këtë aktivitet të tij e filloi nga mbrëmja e së premtes e gjer në përfundimin e tij të shtunën në orët e pasdites. Këtë aktivitet e ndoqën një numër i mash enthuziastësh nga Dibra e Madhe, dibranë nga mërgata dhe mysafirë nga Shkupi dhe qytetet e tjera.
Memedali Egriu është adhurues i shkëlqyer i notit dhe adhurues i alpinizmit, anëtar i zellshëm dhe aktivist i dalluar i Shoqatës së Bjeshkatarëve dhe Çiklizmit “Dibra”, të cilët në vazhdimësi marrin pjesë në marshimet e tyre në majat e maleve në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë, Bullgari dhe në Greqi.
Memedali Egriu gjatë maratonës nga e djathta Hekuran Duka, Memedali Egriu dhe Fari Rexhepi
Ky sportist dibran notin e ka patur në zemër qysh në moshën fëmijërore fillimisht duke notuar në lumin Radikë e më vonë në Liqenin e Dibrës së Madhe.
Dibranët mërgimtarë e kanë mbërthyer botën duke filluar nga SHBA-të ku jetojnë e punojnë më shumë se 20 mijë dibranë, pastaj në Gjermani, Itali, Zvicër e gjer në Australinë e largët.
Pushimet e verës janë i vetmi sezon që i grumbullon masivisht dibranët në Dibër të Madhe. Gjatë muajve të verës planifikohen synetet, fejesat dhe dasmat karakteristike dibrane, për t’i përjetuar sëbashku gëzimet e këtyre ceremonive, ndaj dhe Dibra e Madhe gumëzhin gjatë mujave të verës, duke i kaluar çastet më të bukura që mbeten në kujtesë gjatë tërë jetës.
Ky tubim i dibranëve në vendlindje që vijnë nga mërgata luan një rol efektiv në vazhdimin, forcimin dhe thellimin e lidhjeve vëllazërore të familjaleve dibrane dhe sidomos të gjeneratave të reja, për të mos i humbur lidhjet me vendlindjen dhe me traditat dibrane. Kjo dëshmohet edhe me vetë faktin se gjatë pushimeve verore prindërit nga mërgata në Dibër të Madhe vijnë sëbashku me fëmijët e tyre.
Memedali Egriu, ky sportist dhe njeri i ndëruar dibran eventin e tij të notit maratonik në Liqenin e Dibrës e organizoi në kulmin e arritjes së mërgimtarëve dibranë për t’i kaluar pushimet në vendlindje në Dibër të Madhe, duke i përshëndetur vëllazërisht dhe duke i lumturuar shpirtërisht duke e ndarë sëbashku këtë sukses të tij të arritur në notin maratonik.
Mbrëmjen e së premtes gjer në pasditën e së shtunës bregu Liqenit të Dibrës së Madhe si asnjëherë më parë ishte përplot me dibranë të të gjitha moshave si edhe me plot mysafirë që kishin ardhur për ta ndjekur notin maratonik të Memedali Egriut.
Derisa dibrani Memedali Egriu kryente maratonën e tij në liqen ndiqej me motobarkë nga shokët e tij Sokol Torte, Maksud Kërluku, Nebi Turkeshi, Xheladin Trenova, Rizvan Nasufi dhe Blerand Mullai.
Ndërkaq biznesmenë, fermerë dhe entuziastë dibranë pjesëmarrësit që e ndiqnin këtë spektakël i gostisnin me pije freskuese, shalqinj dhe artikuj ushqimorë.
Në orët e pasdites të së shtunës, kur Memedali Egriu doli nga uji pas këtij noti të suksesshëm maratonik , u duartrokit frenetikisht nga të pranishmit, duke ia uruar përzemërsisht këtë sukses spektakular në not.
Në këtë eveniment ishte i pranishëm ishte edhe Dr. Hekuran Duka-Kryetari i Komunës së Dibrës së Madhe , i cili duke e uruar Memedali Egriun, deklaroi se, ”Ky është shembull si duhet të orientohet rinia në aktivitete me kahje pozitive, për tu larguar nga anomalitë, nga narkotikët dhe alkooli. Memedali Egriu po na befason në të mire me aktivitetet alpinizëm, në not dhe në çiklizëm. Jemi krenarë që Dibra e Madhe ka resurse për aktivitete sportive. E përgëzoj Memedali Egriun që jep shembuj pozitive për kapacitetet e njeriut në edukimin pozitiv të të rinjve.
Fari Rexhepi kryetar i Klubit SHBA-“Dardania” dhe kryetar i Unionit të Shoqatave Bjeshkatare në Maqedoninë e Veriut, tha se, “Kemi ardhur në Dibër të Madhe dhjetë anëtarë të Klubit dhe të Unionit tonë për ta përkrahur Memedali Egriun në këtë eveniment maratonik dhe këtë sukses të tij të lakmueshëm”.
Memedali Egriu, duke i përshëndetur dhe falënderuar të pranishmit, u shpreh se, ”Sfidë më vete është lodhja pa fund, sfidë janë edhe emocionet pa fund. Kjo është martona e katërt me radhë ndërsa para tre viteve maratona e tretë ishte 22 kilometra. Pjesa e natës nga ora 23 nuk ishte aspak e favorshme për shkak të dallgëve të ujit, dhe harxhova shumë energji. Për këtë maratonë ushtrova dy muaj vazhdimisht, janë 140 kilometra not. gjë që është e l lodhshme. dhe duhet shumë përgatitje. Është kënaqësi për sportistët që e kanë notin si sport më vete së bashku me sportet e tjera. Unë aktivitetet e mia në sportet i kryej për veten time dhe për qytetin tim të dashur Dibrën e Madhe që t’i dhuroj spektakle të tilla . Apeloj që të rinjtë t’i kyqen këtij sporti, sepse kemi kushte optimale për gara, është sport që kushton lirë dhe se gjatë notit vihet në lëvizje i tërë organizmi i njeriut. Sporti ta forcon trupin dhe ta fisnikëron shpirtin”, tha në fund Memedali Egriu.