Një lajm i mirë ka mbërritur sot pasdite nga Parisi. Mundësi shqiptar Chermen Valiev do të vijojë garën e tij për të fituar medaljen e bronztë në peshën 74kg të stilit të lirë, në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
Pas eliminimit mesditën e sotme në çerekfinale, ku u mund në sekondat e fundiit 5-6 nga Razambek Jamalov i Uzbekistanit, këtë herë fati i ka buzëqeshur mundësit kuqezi. Ai është “ripeshkuar” si pasojë e fitores se Jamalov në gjysmëfinale.
Rregullorja e garës saktëson se mundësi që shkon në finale i jep të drejtën të “tërheqë” rivalin që ka patur në çerekfinale, si një “ripeshkim”, duke i dhënë mundësi të duelojë për medaljen e bronztë. Në këtë rast, ai që përfiton edhe pikërisht Valiev.
Janë disa sfida që zhvillohen në fazën e “ripeshkimit”. Fillimisht do të zhvillohet ajo mes kubanezit Caballero Garzon e serbit Hetik Cabolov. Fituesi i këtij dueli do të përballet me Valiev në “ripeshkimin” e dytë.
Më pas, në rast se Valiev fiton këtë duel, do të përballet për medaljen e bronztë ndaj Viktor Rassadin të Taxhikistanit, që u mund në gjysmëfinale pak më parë. Të gjitha këto sfida të fazës së “ripeshkimit” do të zhvillohen ditën e shtunë, më 10 gusht.