Besim Shulemaja, president i Federatës së Padelit të Kosovës, shpreh krenarinë që para tre viteve është themeluar sporti i padelit në shtetin tonë.
Shulemaja pretendon që me kalimin e viteve do të rritet niveli dhe rezultate e këtij sporti të dashur.
“Sot e tre vite më parë themeluam një sport dhe Federatë sportive në qytetin e Prizrenit. Si themelues dhe President aktual i Federatës së Padelit në Kosovë, ndjej një krenari të thellë për rrugëtimin që kemi kaluar këto tre vite nga themelimi i federatës.
Të jem pjesë e prezantimit të padelit si një sport krejtësisht i ri në vendin tonë ka qenë një përvojë jashtëzakonisht e mirë, por jo edhe e lehtë.
Gjatë këtyre viteve kam pasur privilegjin të ndjek dhe kontribuoj në zhvillimin e sportit, së bashku me qindra lojtarë shqiptar të përkushtuar të padelit në Kosovë dhe mbarë Evropën. Kam njoftuar shumë figura sportive të ndryshme në Kosovë dhe me një pjesë të tyre edhe jemi miqësuar”, thotë Shulemaja.
Presidenti i federatës ka nënvizuar edhe kualifikimin për në Kampionatin Evropian, që padyshim ishte një sukses i madh.
“Nder i madh ka qenë gjithashtu kualifikimi për Kampionatin Evropian, dhe pjesëmarrja jonë në këtë ngjarje me flamurin e Kosovës.
Ky ka qenë ndër qëllimet tona të cilin e kemi bërë realitet si Federatë. Pasioni, dedikimi dhe vizioni i qartë me partnerët e Be All Padel ka mundësuar krijimin dhe zhvillimin e qendrës së parë të Padelit në Kosovë ku shumë individ krahas anëtarëve të klubeve kanë pasur mundësi ta provojnë sportin e Padelit. I jam mirënjohës bashkëpunëtorëve të ngushtë dhe jo vetëm.
Ka qenë dhe vazhdon të jetë një nder të jem pjesë e Federatës së Padelit në Kosovë që nga themelimi i saj, dhe të shoh sportin të rritet dhe të lulëzojë. Me padurim pres në të ardhmen shumë gara të suksesshme që kemi përpara. Së bashku do të vazhdojmë të ndërtojmë sportin e padelit në Kosovë dhe të forcojmë praninë tonë në skenën ndërkombëtare”, ka përfunduar Shulemaja.