Në vazhdën e takimeve mbi organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, kryeministri Albin Kurti priti sot në takim drejtues nga Komiteti Olimpik i Kosovës, si dhe përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës, me në krye kryetarin Përparim Rama.
Në takim u tha se hapat e mëtejshëm organizativë e ligjorë janë në dakordim e sipër përmes koordinimit të ngushtë ndërmjet Qeverisë së Kosovës me palët tjera nënshkruese të kontratës në Heraklion të Greqisë - Komitetit Olimpik dhe Komunës së Prishtinës.
“Të gjitha palët u dakorduan që partneriteti ndërmjet institucioneve dhe bashkëpunimi i ngushtë sjell organizim të suksesshëm të Lojërave Mesdhetare. Organizimi i suksesshëm i Lojërave Mesdhetare 2023 është interes shtetëror, andaj të gjitha palët shprehën gatishmëri për efikasitet të plotë përmes kontributit të menjëhershëm e përkushtimit të vazhdueshëm”, thuhet në një komunikatë.
Më 8 shtator 2023, Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), ka votuar pro kandidaturës “Prishtina 2030” me 55 vota pro, 8 kundër dhe tri vota të pavlefshme. Shqipëria do të jetë bashkorganizatore, pasi sporti i lundrimit do të zhvillohet në bregdetin shqiptar.
Por, tash e një vit, në Kosovë nuk është bërë asnjë hap për të përmbushur marrëveshjen e nënshkruar dhe ka përplasje ndërmjet Komunës së Prishtinës si nikoqire e këtyre lojërave dhe Qeverisë së Kosovës si garantuese financiare e tyre.
Kjo e fundit ka kërkuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare që të ndryshohet marrëveshje dhe qeveria të jetë bartëse e këtij organizimi. Një lëvizje të tillë të ekzekutivit e pati konfirmuar më herët për KosovaPress kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, duke e quajtur atë si kërkesë absurde.
Ai gjithashtu ka konfirmuar se ICMG i ka kthyer përgjigje negative Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e kësaj marrëveshjeje.