Agron Zeqiri jep dorëheqje nga pozita e presidentit të Federatës së Notit të Kosovës.
Dorëheqja e tij vjen pas suspendimit të përkohshëm nga Federata Ndërkombëtare e Notit.
“Bordi Ekzekutiv i Federatës së Notit të Kosovës ,në mbledhjen e mbajtur më datë:14.09.2024, ora 12:00.
Mbledhjen e kryesoi nënpresidenti i FNK-së z. Bashkim Haxhimusa, ku I ftuar ishte edhe presidenti i FNK-së z. Agron Zeqiri i cili paraqiti dokumentacionet e proceseve të zhvilluara në mes presidentit dhe World Aquatics
Më poshtë gjeni të bashkangjitur edhe Deklaratën e dorëheqjes së z.Agron Zeqirit:
Deklaratë e BE Federatës së Notit të Kosovës:
Pas njoftimit të suspendimit të kryetarit të saj nga FINA, Federata e Notit të Kosovës dëshiron të sqarojë dhe theksojë se ky vendim nuk ndikon në përkushtimin e saj të vazhdueshëm për zhvillimin dhe promovimin e sportit të notit në vendin tonë dhe më gjerë. Federata mbetet e përkushtuar të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me të gjitha institucionet ndërkombëtare të sportit, përfshirë World Aquatics, për të siguruar që sportistët tanë të përfaqësohen dhe të konkurrojnë në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.
Federata e Notit të Kosovës qëndron fuqishëm kundër çdo lloj diskriminimi dhe padrejtësie që mund të cenoje integritetin dhe barazinë e sportistëve tanë. Diskriminimi, qoftë ai në bazë të etnisë, gjinisë, kombësisë, fesë apo çdo forme tjetër, është i papranueshëm dhe nuk ka vend në sportin që ne promovojmë. Ne besojmë në krijimin e një mjedisi ku të gjithë sportistët, trajnerët dhe të gjithë aktorët e përfshirë të ndihen të respektuar dhe të vlerësuar për arritjet e tyre, pavarësisht përkatësive të tyre.
Gjithashtu, ne dënojmë ashpër çdo përdorim të gjuhës së urrejtjes, qoftë brenda sportit apo në hapësira të tjera. Sporti duhet të jetë një platformë që bashkon njerëzit dhe promovon miqësinë, respektin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, dhe çdo formë e gjuhës së urrejtjes është e papranueshme në këtë frymë.
Brenda Federatës së Notit të Kosovës janë krijuar komisione të veçanta që punojnë në mënyrë të përkushtuar për të identifikuar dhe dokumentuar çdo rast të diskriminimit të sportistëve apo trajnerëve. Këto komisione janë të ngarkuara me detyrën që të mbledhin të gjitha faktet dhe provat që lidhen me raste të tilla, me qëllim që ato të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe transparente. Shumë shpejt, raportet e plota dhe të detajuara do të dorëzohen për shqyrtim nga Bordi i Federatës, dhe do të merren masat e nevojshme për të siguruar që çdo formë diskriminimi të eliminohet nga sporti ynë.
Federata e Notit të Kosovës mbetet e përkushtuar për të zhvilluar sportin e notit në përputhje me parimet më të larta të barazisë, respektit dhe dinjitetit njerëzor.
Nga sot Federata në bazë të statutit ,udhëheqet nga nënpresidenti i parë z. Bashkim Haxhimusa deri në zgjedhjet e ardhshme të cilat do të mbahen më datë 02.11.2024”, njofton BE i Federatë së Notit të Kosovës.