Ernest Merdanaj vijon të shënojë rezultate të shkëlqyera në arenën ndërkombëtarë të taekwondo-së. Suksesi më i fundit i tij ka ardhur në “Albania Open G1”, eveniment i zhvilluar për të pestin edicion radhazi në sallën “Feti Borova” të Parkut Olimpik në Tiranë.
Një aktivitet i rëndësishëm, i përmasave të mëdha, me 48 shtete pjesëmarrëse, për një numër prej 131 ekipesh, me mbi 900 sportistë në konkurrim. Merdanaj, sportisti i klubit Tirana, u shpall kampion, duke bërë të tijën medaljen e artë në këtë eveniment.
Merdanaj zhvilloi katër ndeshje, me kundërshtarë mjaft të fortë, të cilët mbanin mbi shpatulla edhe tituj kampionë në Europë, siç ishin rivalët nga Azerbajxhani dhe Greqia. Talenti i skuadrës së Tiranës, spikati me performancën e tij, duke u ngjitur në shkallën më të lartë të podiumit, ndërsa medaljen e kampionit ia dorëzoi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Me këtë sukses Merdanaj koleksionon gjithashtu edhe 10 pikë olimpike, ndërsa kjo ishte medalja e tretë brenda 3 javëve për të, pas të artës në “Latvia Open G1” dhe të argjendtës në “Polish Open G1”, duke grumbulluar 27 pikë olimpike në këto aktivitete.
Ndërkohë në “Albania Open G1” pati një paraqitje shumë të mirë nga Tirana, që spikati në renditjen ekipore. Skuadra bardheblu e taekwondo-së, e drejtuar nga trajnerja e mirënjohur e këtij sporti, Arjola Kasaj, u rendit në vend të tetë mes 131 ekipesh, duke regjistruar një medalje të artë dhe një të bronztë.