Komiteti Olimpik i Kosovës përmes Akademisë Olimpike ka lancuar programin “Trajner Sportiv”. Ky program është akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve. Në këtë program janë gjithsejtë 47 kandidatë të cilët kryesisht vijnë nga federatat sportive, por edhe nga klubet, të cilët do të hyjnë në histori si gjenerata e parë e cila do ta ndjek programin e edukimit “Trajner Sportiv”.
Nisjen e këtij programi, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi e ka quajtur si hap të madh përpara në zhvillimin e sportit në Kosovë.
Krasniqi: Ky program do t’i rris sukseset e Kosovës në sport
“Ky është një program i cili është hartuar me një përkushtim të madh nga Akademia Olimpike dhe është një hap përpara drejt ndërtimit të një të ardhme më të ndritur për sportin tonë...Ne jemi të përkushtuar që përmes programeve të tilla të zhvillojmë kuadro të afta profesionale të cilat do ta formësojnë dhe fuqizojnë sportin kosovar...Programi ‘Trajner Sportiv’, është themeli për një të ardhme për sportin në vendin tonë. Përmes këtij programi ne synojmë të krijojë trajnerë të aftë dhe të përgatitur profesionalisht të cilët do të kenë ndikim të madh në zhvillimin e sportistëve dhe rritjen e sukseseve ndërkombëtare të Kosovës”, deklaroi Krasniqi.
Ndërsa, drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Sportit, Ibër Alaj, tha se ky program është shumë i qëlluar dhe jep mundësi kuadrit profesional i cili përmes këtij programi të zhvillohet
Alaj: Ky është një program shumë i qëlluar
“I dëshirojmë suksese këtij programi të qëlluar dhe më në fund po zhvillohet një p;rogram për trajnimin e trajnerëve që ka impakt direkt tek zhvillimi i sportistëve dhe të njëjtit i jepet një mundësi që kuadrit profesional i cili përmes këtij programi të zhvillohet dhe konsideroj që është një prej vlerave që Komiteti Olimpik tashmë vetëm po e ngritë cilësinë në organizimin e tij”, tha Alaj.
Për programin foli edhe ish-dekani i Fakultetit dhe Edukimit Fizik dhe SSporteve, Musa Selimi i cili theksoi se ky program do t’i ndihmojë trajnerqët në shumë aspekte.
Selimi: Ky program i ndihmon trajnerët në shumë aspekte.
“Meqë është viti i parë, sigurisht që do të ketë sfida, por unë shpresoj që gjithmonë do të ketë risi me programe të reja dhe të gjithë ata trajner të cilët janë paraqitur dhe i inkurajojë federatat trajnerët e rinj të jenë sa më shumë dhe sa më shumë të paraqiten në këtë program sepse iu ndihmon në shumë aspekte”, theksoi Selimi.