​Federatat kthejnë vëmendjen te grupmoshat e reja

Sporti

​Federatat kthejnë vëmendjen te grupmoshat e reja

Më: 27 tetor 2024 Në ora: 13:06
​Federatat kthejnë vëmendjen te grupmoshat e reja

Përkushtimi dhe investimi te grupmoshat e reja shihet si rruga e vetme që garanton të ardhmen e ndritur të sportit të Kosovës. Në këtë pikë tashmë është rritur edhe përkushtimi i federatave sportive në Kosovës që përtej aspektit sportiv dhe pjesëmarrjes në gara të ndryshme, ato ndajnë edhe buxhet të veçantë për të rinjtë.

Drejtues të federatave sportive në Kosovë kanë bërë të ditur se ato ndajnë buxhet të posaçëm për këtë kategori. Sekretarja e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku, ka thënë për KosovaPress, se vetëm për vitin 2023, kjo federata ka ndarë mbi dy milionë euro për grupmoshat e reja.

Dushku: 21 përqind e buxhetit të FBK-së shkon për gjeneratat e reja

“Në aspektin e shifrave, nëse duam ta dimë sesa investon Federata e Basketbollit tek gjeneratat e reja, për vitin 2023 buxheti është paraparë dy milionë e 270 mijë euro në tërësi, ndërsa për gjeneratat e reja është 21 përqind që do të thotë është 468 mijë euro...Unë besoj që me programin afatgjatë kjo përqindje do të rritet dukshëm në vitin 2025 duke pasur parasysh që tek programi afatgjatë, ai program është program zhvillimor, do të thotë se fokusi është te gjeneratat e reja edhe tek zhvillimi i trajnerëve e infrastruktura kështu që për ne prioritet zhvillimi dhe puna me gjeneratat e reja”, tha Dushku.

Kurse në Federatën e Volejbollit, përveç buxhetit, krijohen edhe programe të veçanta duke nisur që nga shkollat fillore. Kështu ka deklaruar sekretari i kësaj federate, Valon Nikqi.

Nikqi: FVK është shumë e fokusuar te grupmoshat e reja

“Konsideroj se Federata e Volejbollit është një prej federatave që është më e fokusuara te grupmoshat e reja, sidomos viteve të fundit...Ne kemi treguar një përkushtim mjaftë të madh në këtë drejtim. Pra, duke filluar projektit shkollave të volejbollit e me organizime garave U 14, U16, U 18, ndërsa prej këtij viti, për ta dëshmuar këtë përkushtim edhe më të madh, për herë të parë do të fillojmë me organizime garave të grupmoshës U21. Çfarë është tjetër një risi, do të thoja që organizimi i garave që bëhet nga Federata e Volejbollit, klubet të cilat marrin pjesë në këto gara nuk kanë asnjë obligim financiar, të gjitha shpenzimet janë të mbuluara”, theksoi Nikqi.

Në të njëjtën linjë po punohet edhe në Federatën e Karatesë. Avni Gashi, sekretar i kësaj federate, megjithëse nuk përmend shifra, thotë se kjo federatë shpenzon shumë mjete për këto kategori.

Gashi: Mbështetja e të rinjve varet nga buxheti që kemi në federatë

“Ne iu kushtojmë shumë rëndësi të veçantë edhe këtyre gjeneratave. Në garat siç do të shkojmë tani në Sarajevë në Kampionatin Ballkanik dhe kemi të këtyre kategorive dhe gjeneratave të reja, federata gjithmonë participin, ua heq udhëtimin dhe çfarë do që të mundet kur ka buxhet si duhet ua ka paguar edhe akomodimin edhe ushqimin, mirëpo në kushtet tona momentalisht do të participojmë me udhëtim...Edhe në Youth League kur udhëtohet, federata participin me mjete të saj, kush merr medalje atje në shumicën e kohës garuesve u është bërë rimbursimi i më të suksesshmëve. Kështu që ne shpenzojmë shumë mjete edhe i kemi të planifikuara në të gjitha garat vendore këto kategori”, deklaroi Gashi.

Ndryshe, buxheti i federatave sportive në Kosovë përcaktohet varësisht nga aktiviteti në gara vendore dhe ndërkombëtare që përcaktohet nga Ministria e Sportit në procesin e kategorizimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat