Federata Shqiptare e Peshëngritjes i është përgjigjur trajneres Eglantina Kalemi me anë të disa postimeve në rrjetet sociale.
Për mos dërgimin e peshëngritës Enkileda Carja në Europianin U20, FSHP bën të ditur se është vendosur në bazë të deklarimeve të sportistes, rezultate që sipas federatës nuk fusnin në zonën e medaljeve.
Gjithashtu FSHP pretendon se për këtë vendim është rënë dakord edhe me vetë trajneren Kalemi. Ja postimi që FSHP ka bërë në faqen e saj në rrjetet sociale për këtë çështje: “Marrim shkas nga qëndrimet e fundit të Eglantina Kalemit, trajnere e sportistes Enkileda Carja, për sa i përket pjesëmarrjes në Kampionatin Europian U-20 dhe U-23 që zhvillohet në Raszyn të Poloni.
Dëshirojmë të përmendim se znj.Kalemi ka qenë prezente disa herë në zyrat e FSHP-së për të diskutuar mbi pjesëmarrjen në aktivitete ndërkombëtare të sportistes Carja. Duke qenë se sportistja e saj renditej në vendin e 12-të në peshën 64 kg (junior), nuk mund të merrte pjesë në Kampionatin Europian me deklarimin që ajo kishte dhënë në listat paraprake me 190 kg.
Ndërkohë që në garën kombëtare të muajit shtator Carja kishte rezultatin 188 kg në dygarësh, datë kjo e afërt me deklarimet finale te Kampionatit Europian. Duhet të theksojmë se znj.Kalemi pas garës së 14 shtatorit, është thirrur pranë zyrave të FSHP-së për të diskutuar pjesëmarrjen dhe formën fizike të sportistes dhe ka rënë dakord që sportistja e saj mos të marrë pjesë në këtë aktivitet, duke qenë se nuk arrinte as zonën e medaljeve dhe as zonën e shpërblimit.
Qëllimi i FSHP-së është vetëm të mbështesë sportistët dhe trajnerët dhe jo ti dekurajojë ata”, shkruhet në publikimin e FSHP-së, deklaratë që mban emrin e sekretares Renada Kamberaj.
Një version më të cilin nuk pajtohet kurrsesi trajnerja Kalemi, e cila ka publikuar përgjigjen që ka marrë nga presidenti i FSHP-së, Elez Gjoza, i cili i komunikon se federata nuk ka fonde për ë dërguar ekip të plotë, ndërsa thotë gjithashtu se do të shkohet vetëm me sportistët medalistë dhe peshëngritësit do të konkurrojnë vetëm në moshat përkatëse.