Rritja e aktivitetit fizik te grup-moshat e reja, hulumtimet shkencore në sport, trajnerët dhe mentorët sportivë janë disa nga objektivat kryesore që dekani i ri i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sporteve Florian Miftari synon t’i çojë përpara në mandatin e tij.
Ai në një intervistë për KosovaPress thotë se hulumtimet shkencore do të hapin rrugë për të ngritur performancën e sportistëve të rinj.
Miftari: Hulumtimet shkencore në sport, synimi ynë kryesor
“Të merremi pak më shumë me shkencë. Ky do të jetë qëllimi kryesor yni që ne të zhvillojmë hulumtime të reja në sport dhe t’i ndihmojmë sportistët tanë që ta rrisin performancën në këtë aspekt, e burim i kësaj duhet të jetë fakulteti ynë. Gjithashtu, njëri prej objektivave kryesore që e kemi vendosur si qëllim tonin është që të hapemi si njësi akademike... Ne do të tentojmë të rrisim stafin e kualifikuar dhe profesional”, tha Miftari.
Miftari thotë se Fakulteti i Edukimit Fizik synon të kualifikojë menaxherë dhe administratorë të rinj të sportit, por edhe trajnerë kondicionalë.
Miftari: Do të kemi edhe menaxherë sporti në të ardhmen
“Në të ardhmen Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit të kualifikojë edhe menaxherë të sportit, administrues të sportit, të cilët mund të punojnë në federata, komitete olimpike, klube, fitnese e të tjera. Përveç që ne kualifikojmë arsimtarë të Edukatës Fizike, specialistë të rinj të Edukatës Fizike mendojmë që të prodhojmë ose kualifikojmë në të ardhmen edhe preperatorë fizikë, do të thotë trajnerë kondicionalë në aspektin edhe të fushës së psikologjisë. Të gjitha këto janë fusha deficitare që asnjëherë nuk i kemi mbuluar. Por, për të gjitha këto programe na nevojitet infrastruktura”, thekson Miftari.
Miftari thotë se “mrekullia në sport” do të ndodhë nëse federatat dhe institucionet sportive fokusohen fuqishëm në edukimin e gjeneratave të reja.
Miftari: Më së shumti kemi nevojë për trajnerë
“Ne duhet të punojmë shumë në edukimin e gjeneratave të reja. Neve më së shumti na mungojnë trajnerët, të mos ma marrin për të keq, pasi ka trajnerë shumë të mirë, ka trajnerë që janë vetëm komercialë, por ka edhe nga ata që nuk merren me këtë zeje. Unë mendoj që çdo federatë, klub e institucion, i cili merret me sport, duhet të investojë më shumë në edukim, që ata trajnerë t’i edukojnë grup-moshat e reja, të jenë mentorë të mirë të secilit student e sportist dhe të kemi mentorë të rinj, të cilët do ta bënin një mrekulli në sportin e Kosovës”, tha Miftari.
Miftari shprehet i shqetësuar me rënien e aktivitetit fizik te të rinjtë, derisa sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë brenda ditës një fëmijë duhet të ketë të paktën një orë aktivitet fizik.
Miftari: Aktiviteti fizik i fëmijëve në nivelin zero
“OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë) e parasheh që 60 minuta të ketë një fëmijë aktivitet fizik në ditë, e sa bëjnë fëmijët tanë aktivitet fizik në ditë në këtë kohën e teknologjisë pothuajse është zero...Kështu që është momenti i fundit që ne si qeveri, si shtet e si popull të bëjmë njerëz të shëndoshë. Nuk është esenca që ajo vajzë apo ai djalë të bëhet sportistë, esenca është që të bëhen të shëndoshë, të kenë mundësi që të lëvizin sa më shumë dhe këtu iu bëjë apel të gjithë arsimtarëve të edukatës fizike që të merren më seriozisht me këtë temë”, shprehet Miftari.
Miftari bën thirrje për investim më të madh në infrastrukturën sportive duke thënë se sallat dhe terrenet sportive të ndërtuara në vitet e 70-ta tashmë po bëhen të papërdorshme dhe kjo e pengon zhvillimin e hovshëm të sportistëve të rinj.