Më në fund reagon Federata e Taekwondo-së e Kosovës: Raste si ky, dhe raste tjera të ngjashme të mos përsëriten më

Sporti

Më në fund reagon Federata e Taekwondo-së e Kosovës: Raste si ky, dhe raste tjera të ngjashme të mos përsëriten më

Nga: K.G. Më: 12 nëntor 2024 Në ora: 15:50
Logo e Federata e Taekwondo-së e Kosovës

Federata e Taekwondo-së e Kosovës ka reaguar me rastin e paprecedent që ka ndodhur të dielën që e lamë pas në Tiranë në Kampionatin Evropian për fëmijë, ku trajneri i Kosovës Valmir Fetiu përdori dhunë ndaj garueses së vet pas finales. 

“Me datë 7-10 nëntor 2024, Federata e Taekwondo-së e Kosovës mori pjesë në Kampionatin Evropian për Kadetë dhe Fëmijë të mbajtur në Tiranë, Shqipëri.

Ekipi i Kosovës u përfaqësua nga 12 sportistë të rinj që shfaqën përkushtim, disiplinë dhe aftësi të shkëlqyera në një event evropian kaq të rëndësishëm.

Një nga përfaqesueset e ekipit të Kosoves ishte edhe sportistja Valina Fetiu e cila arriti të shpallet nënkampione në kategorinë e saj.

Gjatë garës finale të Valina Fetiut kundër përfaqësueses serbe Nina Saviç, ndodhi një incident që përfshiu atë dhe trajnerin e saj, i cili është njëkohësisht edhe babai i Valinës. Federata e Taekwondo-së së Kosovës, në bashkëpunim të plotë me Federatën Evropiane të Taekwondo-së, organizatoren e këtij kampionati, mori masa të menjëhershme për të adresuar incidentin dhe në koordinim të plotë në bazë të statutit dhe rregullores së etikës dhe diciplinës, vendosi pezullimin e trajnerit për një periudhë gjashtëmujore në të gjitha aktivitetet e zyrtare nga Taekwondo-ja Evropiane dhe ajo Botërore.  

Duke punuar dhe shpresuar që raste si ky, dhe raste tjera të ngjashme të mos përsëriten më, FTWK  dënon ashpër veprime të tilla dhe zotohet se gjithmonë do të marrë masa ndaj këtyre dukurive.

Ndërsa garuesen Valina Fetiu dhe të gjithë sportistët tanë Federata do ti mbeshtesë në të gjitha garat dhe proceset sportive në vijim, dhe jemi të bindur që do sjellin shumë suksese dhe medalje për shtetin tonë”, ka reaguar Federata e Taekwondo-së së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat