Sportistët paralimpik janë dëshmi se kufijtë ekzistojnë vetëm në mendjen e njeriut”. Kështu u tha me rastin e hapjes së Lojërave Paralimpike “Kosova 2024”, ku lojëra në tetë disiplina, do të zhvillohen të shtunën dhe të dielën, në Vushtrri.
Në ceremoninë hapëse, presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, theksoi se kjo kategori e sportistëve është dëshmi faktike se sa larg mund të arrihet me besim dhe vendosmëri, pamarrë parasysh situatën në të cilën ndodhemi.
Emini: Këto lojëra do të na dëshmojnë se kufijtë ekzistojnë vetëm në mendjen tonë
“Sot do të jemi dëshmitar të disiplinave të jashtëzakonshme, vrapimit me karrocë, golballit për të verbërit, xhudos, basketbollit në karroca, volejbollit të ulur, tenisit me karroca dhe boqës. Këto lojëra do të na dëshmojnë se kufijtë ekzistojnë vetëm në mendjen tonë. Përmes sportit parasportistët na tregojnë se fuqia e vërtetë qëndron në besimin te vetja dhe mbështetjen e ndërsjellë. Përtej dimensionit garues, sot është një mundësi për diskutuar dhe nxitur edhe më shumë përfshirjen dhe edukimin fizik për të gjithë”, tha Emini.
Ndërsa, drejtori i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Lastriot Jashari tha se ky institucion me mburrje vazhdon të përkrah aktivitetet e Komitetit Paralimpik duke dhënë kështu mesazh se shoqëria duhet të bashkëndjejë me këtë kategori dhe se ata janë pjesë vitale e shoqërisë dhe të barabartë në secilën fushë.
Jashari: Kjo është kategoria me të cilën me duhet të bashkëndjejmë si shoqëri.
“Institucioni ynë për dy dekada vazhdon të mbështesë bashkë me partnerët tjerë vendorë e ndërkombëtar këtë aktivitet që është tepër rëndësi në kuptimin e faktit që ne duhet të bashkëndjejmë me këto kategori. Ne e kemi obligim institucional, shoqëror por edhe familjar që të qëndrojmë çdo ditë dhe në vazhdimësie të gjithë ju si kategori”, tha Jashari.
Gjithashtu, para nisjes së garave, u nënshkrua edhe marrëveshja ndërmjet Komitetit Paralimpik të Kosovës dhe KFOR-t, për pranimin e donacionit të karrocës për paraatletikë e nënshkruar nga presidentja, Njomza Emini dhe komandanti i KFOR-it në Kosovë, Enrico Barduani.
Barduani theksoi se paraatletët janë inkurajim për të lënë mënjanë dallimet dhe të fokusohemi në aftësitë tona.
Barduani: Paraatletët nxisin punën e përbashkët drejtë një qëllimi
“Shembulli juaj na inkurajon të lëmë mënjanë dallimet dhe të fokusohemi në aftësitë tona, dhe kështu t'i vëmë në dispozicion aftësitë tona të tjerëve, duke nxitur një ekip drejt një qëllimi të përbashkët. Në të njëjtën mënyrë mund t'ju siguroj se ekipi i KFOR-it i përbërë nga trupa që vijnë nga 29 kombe të ndryshme punon së bashku me ndihmën e përbashkët për të ofruar siguri dhe paqe për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, theksoi Barduani.
Për dy ditë me radhë, parasportistët do të zhvillojnë gara në disiplina si vrapimi me karrocë, golballi për të verbër, xhudo, basketbolli në karroca, volejboll të ulur, tenis me karroca dhe boqa.