​Padeli, sporti që po zhvillohet me hov të madh në Kosovë

Sporti

​Padeli, sporti që po zhvillohet me hov të madh në Kosovë

Më: 7 dhjetor 2024 Në ora: 11:24
Duke e parë interesimin e madh të të rinjve për këtë sport, në vitin 2021 në Kosovë u themelua Federata e Padelit.

Fillet e tij i ka në Meksikën e largët, por sporti i padelit po zhvillohet hovshëm edhe në Kosovë. Ngjason shumë me tenisin, por padeli është sport me karakteristika të veçanta.

Duke e parë interesimin e madh të të rinjve për këtë sport, në vitin 2021 në Kosovë u themelua Federata e Padelit.

Megjithëse e re, kjo federatë tashmë numëron pesë klube profesionale të padelit, derisa sekretari i saj, Jusuf Kika thotë për KosovaPress se në proces të krijimit janë edhe disa klube të tjera.

Kika: Padeli si sport po përjeton zhvillim të hovshëm në Kosovë

“Në Kosovë ne si federatë jemi themeluar në vitin 2021, ndërsa një vit më vonë është hapur kjo qendër me tri fusha në ambient të brendshëm, dhe tash e disa vite operojmë si federatë, i kemi klubet sportive të cilat janë në Kosovë dhe mund të them që brenda një kohe të shkurtër si sport kemi përjetuar një zhvillim jashtëzakonisht të madh”, thotë Kika.

E duke e parë këtë rritje të interesimit për këtë sport, Kika thotë se është shumë i nevojshëm ndërtimi i fushave të padelit edhe në qytete të tjera të Kosovës, por pranon se kjo federatë nuk ka buxhet për ta bërë këtë.

Kika: Si federatë nuk kemi buxhet të hapim fusha nëpër qytete tjera

“Në qytetet e tjera kemi bërë thirrje që të hapen fusha të reja të padelit, deri më tani nuk ka pasur ndonjë investitor potencial për shkak edhe të kostos, sepse ne si federatë nuk kemi mundësi të hapim fusha edhe në qytete të tjera, mirëpo në fund të këtij viti, dhe po shpresojmë në fillim të vitit të ardhshëm të kemi persona të cilët janë të hapur për bashkëpunim dhe që janë të interesuar të hapin fusha të padelit në qytete të tjera si në Prizren, Ferizaj, Mitrovicë, e kështu me radhë”, thekson Kika.

Ai flet edhe për disa nga karakteristikat që ka ky sport.

Kika: Padeli është sport me disa karakteristika

“Sporti i padelit është një hapësirë më e vogël, është një fushë 20 me 10 [metra] me dimensione, është e rrethuar me xhama dhe me rrjetë metalike, lartësia e tyre shkon tri deri në katër metra dhe luhet gjithmonë në dyshe, dy kundër dy. Shënimi dhe poentomi është sikur në tenis ndërsa dallojnë rekuizitat, do të thotë është me një material më kompleks, me vrima, nuk është me rrjetë, ndërsa edhe topat e padelit dallojnë nga ata të tenisit për shkak se kanë më pak presion brenda tyre dhe diametri e disa karakteristika më të veçanta dhe kërcejnë më pak në krahasim më ata të tenisit. Është sporti me rritjen më të madhe në botë për momentin”, bënë të ditur Kika.

Planet e Federatës së Padelit, sipas sekretarit të saj, janë të mëdha.

Vitin e ardhshëm në Kosovë do të organizohet një eventi ndërkombëtar në këtë sport.

Kika: Vitin e ardhshëm Kosova do të jetë nikoqire e një eventi ndërkombëtar të padelit

“Menjëherë pas hapjes së fushave të para të padelit deri më tani mund të them se i kemi organizuar më shumë se 15 ose 20 turne, disa më të vegjël e disa më të mëdhenj. Kampionati shtetëror kuptohet çdo vit që e organizojmë, i kemi dy edicione brenda vitit të ligës së padelit...Ndërsa këtu në Prishtinë nuk kemi mbajtur turne Ballkanik ose Evropian, nuk kemi kaluar ende në atë nivel mirëpo brenda vitit 2025 Kosova do të jetë nikoqire për njërin nga këta turne pasi që jemi në bisedime me federatat rajonale për ta krijuar një komitet ballkanik të padelit”, thekson Kika.

Kika bën të ditur gjithashtu se sporti i padelit pritet që për herë të parë të jetë në mesin e sporteve që do të zhvillohen në Kosovë edhe në kuadër të Lojërave Mesdhetare që do të zhvillohen në vendin tonë në vitin 2030.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat