Të gjitha federatat sportive do të duhet të angazhojnë një zyrtar i cili do të merret me ankesat e sportistëve për dhunë apo dukuri të tjera negative në ngjarjet sportive. Kjo vjen me ndryshimet që po bëhen në Ligjin për sport.
E kjo po mirëpritet nga drejtuesit e federatave sportive në Kosovë të cilët thonë se një organ i tillë do t’ua lehtësojë sportistëve rrugën e raportimit në rastet kur diskriminohen në aktivitetin e tyre.
Në Federatën e Volejbollit thonë se janë të gatshëm të zbatojnë këtë pikë të ligjit të ri për sport.
Nikqi: Përmes këtij zyrtari sportistët do t’i shprehin shqetësimet e veta
“Ne duhet t’i zbatojmë ligjet që vijnë nga qeveria dhe Ministria e Sportit sepse jemi të obliguar dhe me siguri se do t’i zbatojmë. Ky është një hap mjaftë i mirëseardhur për federatat edhe pse do të thosha që volejbolli nuk njihet si sport i dhunshëm, përjashto rastin e fundit që e kishim para disa ditësh por kjo na bënë të kuptojmë që edhe ne për problematikat më të vogla që i kemi pasur deri më tani jemi munduar që nëpërmjet këshillave e takimeve kemi arritur që t’i evidentojmë me kohë dhe të marrim masa...Ky person që do të emërohet me siguri që duhet të jetë i komunitetit të volejbollit, të jetë adekuat dhe duhet të jetë fleksibil në mënyrë që të gjithë sportistët t’i shprehin ato shqetësimet e veta që i kanë në lidhje me ngjarjet dhe dukuritë negative në sport”, thotë Valon Nikqi, sekretar i FVK-së.
Sekretari i Federatës së Karatesë së Kosovës, Nazmi Gashi konsideron se ky ligj do t’u shërbejë federatave që të jenë të hapura për raportim të rregullt të dukurive negative në ngjarjet sportive.
Gashi: Duhet të mësohemi t’i raportojmë dukuritë negative
“Kjo është pikë shumë e rëndësishme në sport, është një prej pikave kyçe që e sjellë imazhin e sportit tek publiku. Ne kemi pasur edhe më herët një zyrtar ndërlidhës me komisionin për raportimin e dukurive negative që është i themeluar nga MKRS-ja në bashkëpunim me Komitetin Olimpik dhe Institucionet tjera përgjegjëse si Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës...Kjo gjë është shumë e mirë për shkak se ne duhet të mësohemi që në organizimet tona që i bëjmë të kemi një sistem të raportimit të rregullt të dukurive negative te organet gjegjëse”, deklaron Gashi.
Ndërsa, edhe pse thotë se në atletikë nuk ka pasur asnjëherë raste të dhunës fizike, kryetari i kësaj federate, Halil Sylejmani deklaron se zyrtari që do të angazhohet brenda federatave do të kujdeset që asnjë sportisti të mos i bëhet e padrejtë në cilën do garë që merr pjesë.
Sylejmani: Ky hap mundëson që asnjë sportisti të mos i bëhet padrejtësi
“Është e mirëseardhur dhe besoj që me një bashkëpunim të jashtëzakonshëm, me një mbikëqyrje apo sygjerime e këshilla të ndryshme është e mirëseardhur për çdo federatë që tani e tutje ne t’i përmbahemi atyre dispozitave të cilat janë të shkruara me përpikmëri, ta duam sportin, federatat, klubit, atletët sidomos te ne që askush mos t’i hyjë në hak askujt por ta merr atë që e meriton por edhe të jap atë që është i obliguar të jap”, thekson Sylejmani.
Në fillim të muajit dhjetor u regjistrua rasti i fundit i dhunës në sport ku gjatë ndeshjes së volejbollit ndërmjet Pejës dhe Ferizajt u përleshën lojtarët dhe tifozët.
Federata e Volejbollit mori vendim për pezullimin e gjashtë volejbollistëve për një kohë të pacaktuar.