Shaban Tërstena i pikëlluar, humbi njeriun e fundit që ishte me të në Lojërat Olimpike

Sporti

Shaban Tërstena i pikëlluar, humbi njeriun e fundit që ishte me të në Lojërat Olimpike

Më: 24 dhjetor 2024 Në ora: 21:40
Xhelal Zeqiri e Shaban Tërstena

Kampioni olimpik në vitin 1984 dhe nënkampioni olimpik në vitin 1988, Shaban Tërstena, është i pikëlluar, për faktin se humbi njeriun e fundit që ishte me të në Lojërat Olimpike.

Dje ka ndërruar jetë Xhelal Zeqiri që e ka mërzitur shumë Shaban Tërstenën, ish mundësinë e famshëm botëror dhe sportisti më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave.

“Të dashur miq dhe njerëz të mirë, po ndaj me ju një dhimbje të thellë. Kush nuk e njeh të kaluarën, nuk do të dijë as të ndërtojë të ardhmen.

Kjo është bota dhe jeta jonë, por edhe historia jonë, që duhet rrëfyer për të treguar jetën tonë sportive. Sot kujtoj me respekt dhe dhimbje dy trajnerët e mi legjendarë. Hajrush Sinani, i cili u nda nga kjo botë katër vite më parë, dhe Xhelal Zeqiri, që dje, në moshën 68-vjeçare, u përcoll  nga shtëpija e tij për në botën tjerër.

Për vite të tëra, kemi përjetuar momente emocionuese dhe dramatike nga e kaluara jonë e lavdishme. Këta dy trajnerë ishin shembull besnikërie dhe përkushtimi, duke qëndruar bashkë për mbi 30 vite. Në kohët më të vështira, ata e mbajtën me fanatizëm klubin e mundjes ‘Liria’, duke stërvitur intensivisht çdo ditë, në verë e dimër, në shi e borë. Asnjëherë nuk u larguan nga shpirti i tyre sportiv.

Ata ishin krah meje për 20 vite të jetës sime sportive,të palodhshëm më kanë qëndruar pranë në çdo orë e çdo ditë, çdo muaj dhe për shumë vite. Ishin pranë meje në çdo stërvitje të mundimshme, në fitoret dhe gëzimet e mia, por edhe në momentet më të vështira, asnjëherë nuk u dorëzuam kurrë. Më mbështetnin dhe më inkurajonin për të ecur përpara.

Kudo që kam marrë pjesë, në gara kombëtare dhe ndërkombëtare, ata ishin me me shpirtin e tyre me mua. Në betejat e ashpra të gladiatorëve të sportit, kemi fituar gjithçka që mund të fitohet: medalje, trofe dhe tituj nga Lojërat Olimpike, Kampionatet Botërore, Evropiane , Lojërat Mesdhetare, dhe Ballkanike. Ishim të pandalshëm dhe të pathyeshëm. Hajrushi dhe Xhelali, këta dy legjenda të shekullit XX, ishin pjesë e çdo suksesi tim.

Xhelal Zeqiri nuk ishte vetëm një trajner dhe pedagog i jashtëzakonshëm. Ai ishte një shokë i mirë, një njeri i veçantë, besnik dhe zemërbardhë. Ai ishte i drejtë dhe shpirtmadh, gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar. Në kohën e rinisë sime, kur stërvitesha deri në orët e vona të natës, ai më shoqëronte me biçikletën e tij, duke më mbështetur në çdo hap.

Kjo është bota dhe jeta jonë. Janë kujtime të paharrueshme me njerëzit më të mirë të jetës sime, që kanë lënë gjurmë me veprat e tyre historike. Ata janë larguar nga kjo botë, por kurrë nga kujtimet dhe zemra ime.

Zoti i Madh e mëshiroftë shpirtin e Xhelalit dhe i shpërbleftë me gradën më të lartë në Parajsë”, ka shkruar kampioni olimpik në vitin 1984, Shaban Tërstena.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat