Jona Reçica kampione e Kosovës për herë të parë

Sporti

Jona Reçica kampione e Kosovës për herë të parë

Gani Kosumi Nga Gani Kosumi Më 29 dhjetor 2024 Në ora: 16:09
Jona Reçica

Me takimet e xhirosë së 7-të/të fundit/ të xhvilluara të dielën më 29 dhjetor kanë përfunduar garat e Kampionatit individual të Kosovës në shah për femra 2024, organizuar nga Federata e Shahut e Kosovës.

Garat u zhvilluan në Sallën e shahut të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë dhe u luajt sipas sistemit zvicëran me 7 xhiro. Pjesëmarrëse ishin 20 shahiste nga klubet e Kosovës.

Xhiroja e fundit ishte përcaktuese sa i përket luftës për titullin e kampiones.

Në tabelën e parë u përballën Jona Reçica e ekipit Dardania të Prishtinës dhe Rinesa Saraçi që i mbron ngjyrat e ekipit të Rahovecit.

Pas katër orë të një loje të ashpër takimi u mbyll me fitoren e Jona Reçicës e cila tuboi me 6 pikë me 6 fitore dhe me të vetmen disfatë nga Nita Saraçi. Është ky titulli i parë i Kosovës për Jona Reçicën.

Në tabelën e dytë luajtën dy anëtaret e Prizrenit, Nita Saraçi dhe Vjosa Curri Simitçi. Fitore shënoi Vjosa Curri Simitçi.

Në takimet e tjera veçojmë fitoren e Ndriçona Saraçit të Prizrenit kundër bashkëlojtares, Binera Karadolamit. Siç është pritur, Arlinda Aliu, kampionja e dritashme mundi Unika Berishën si dhe Dua Rexhepi fitoi ndaj Erisa Elshanit.

Shahistja më e re në këtë kampionat ishte përfaqësuesja e Prizrenit, Hena Simitçi- 8 vjeçe dhe tuboi 2 pikë.

Renditja:

1.Jona Reçica 6 pikë

2.Ndriqona Saraçi 5

3.Rineda Saraçi 5

4.Vjosa Curri Simitçi 5

5.Nita Saraçi 4,5

6.Arlinda Aliu 4,5

Etj.

Gjyqtar: Albert Zenuni.

Në fund për shahistet më të dalluara të këtij kampionati u ndanë kupa, medalje, diploma si dhe shpërblimi me të holla të cilat i ndanë, Armend Budima, kryetar i Federatës së Shahut të Kosovës dhe Albert Zenuni, përzgjedhës i Kosovës i Kosovës për grup moshat e reja.

Ky kampionat u mbajt në kuadër të Festivalit të Shahut 2024.

Ky festival do të vazhdoj nga 4-12 janar 2025 me garat e Kampionatit individual të Kosovës për meshkuj.

Kampionja, Jona Reçica dhe nën kampionja, Ndriqona Saraçi do ta përfaqësojnë Kosovën në Kampionatin Evropian 2025 më 15 mars 2025 në Rodos të Greqisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat