Kur u nisën për në Francë, shpresat ishin dy.
Ekipi olimpik shqiptar premtoi medalje në Lojërat Olimpike në Paris me Luiza Gegën në atletikë dhe tre mundësit e natyralizuar.
Kampionia jonë e madhe nuk ia doli të përsëriste triumfin e madh të Kampionatit Europian në Mynih në 2022, dhe besohet për shkak të një virusi që nuk ishte e mundur të luftohej plotësisht.
Mundësit ia dolën.
Edhe pse jo medalje, ari ata vendosën një precedent të vërtetë, duke fituar medaljet e para olimpime për Shqipërinë në histori.
Çermen Valijev doli i treti në mundje deri 74 kg, dhe Islam Dudajev i treti në mundje deri 65 kg, duke marrë medaljet e bronzit.
Suksesi është i madh, ndonëse duhet theksuar se ishte në aspektin e “skautingut” dhe menaxhimit.
Merita e autoriteteve sportive shqiptare ishte që i zbuluan këta sportistë dhe i kandisën që të garonin për vendin tonë.
Mbi këtë temë, por edhe shumë të tjera, u diskutua edhe në studion e “E Diela Sprint”, nga gazetari Maks Tashi, në ABC News, ku i ftuar ishte presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli, i cili foli në tërësi për ecurinë e sportit shqiptar në vitin 2024.
“Në Shqipëri janë bërë kampionate botërore për moshat, por edhe të mëdhenjtë, siç ishte peshëngritjes apo kampionati i mundjes për moshat u23 dhe për të rritur. Është krijuar Organizata Ballkanike e Peshëngritjes. Është bërë maratona dhe tashmë Tirana është futur në listën e qyteteve të mëdha të këtyre eventeve dhe jo vetëm .
Prej 3 vitesh kemi ndërmarrë projektin për zhvillimin e volejbollit dhe basketbollit në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnaze për të masivizuar sa më shumë këtë kultur sportive, në mënyrë që të rikthehemi te ato emrat e mëdhenj të dikurshëm”,- u shpreh Ylli.