​“Mbretëresha e sporteve” pa asnjë shteg në Kosovë

Sporti

​“Mbretëresha e sporteve” pa asnjë shteg në Kosovë

Më: 6 janar 2025 Në ora: 11:19
Foto ilustrim

Konsiderohet si “Mbretëresha e sporteve”, por atletika është sporti që nuk e ka asnjë stadium të dedikuar për këtë disiplinë. Edhe pse i lënë krejtësisht pas dore si sport, në Lojërat Olimpike të mbajtura vitin e kaluar në Paris, Kosova u përfaqësua nga dy atletë, Gresa Bakraqi dhe Grevist Bytyçi.

Suksese të tilla ngrenë alarmin për investim në infrastrukturën e këtij sporti pasi Kosova ka mbetur pa shteg të atletikës që nga vitit i largët 1991.

Kryetari i Federatës së Atletikës, Halil Sylejmani thotë se problemi me mungesën e infrastrukturës ia ka pamundësuar Kosovës që të organizojë ndonjë ngjarje sportive në nivel ndërkombëtar në këtë disiplinë.

“Që nga viti 1991 nuk kemi stadium i cili i plotëson kushtet normale që të zhvillohen garat me karakter të jashtëm ndërkombëtar, ballkanik apo evropian...Shtigjet e atletikës që i ka pasur Prishtina, tetë shtigje, janë cunguar në dy shtigje pikërisht për shikues apo përkrahës të futbollit. Futbolli është sport që e respektoj, por hisen tonë e ka marrë gjithmonë dhe gjithmonë e ka cunguar atletikën sepse ne nuk kemi mjete materiale si ai sport. Andaj edhe sot e kësaj dite në Prishtinë janë vetëm dy shtigje që nuk mund të organizohet asnjë garë me karakter të brendshëm, e lëre më atë ndërkombëtar. Prandaj bëhet pyetja se kur ‘Mbretëresha e sporteve’ do t’i ketë shtigjet e veta”, thotë Sylejmani.

Atletja Gresa Bakraqi thotë se është penalizuar direkt në rezultatet e saj për shkak të mungesës së kushteve për stërvitje në Kosovë. Ajo tregon se si detyrohet të kërkojë shtigje të atletikës për stërvitje në shtetet tjera.

“Nëse unë do t’i kisha kushtet e infrastrukturës, nuk do të kisha nevojë të kërkoj shtegun sepse gjatë gjithë vitit unë duhet të vrapoj për të gjetur shteg sepse kur e përfaqësoj Kosovën, e përfaqësoj në shteg dhe unë si atlete asnjëherë nuk kam qenë e barabartë me konkurrentet e mia...Realisht në Kosovë mungon shumë infrastruktura e atletikës, gjë e cila mua më pengon shumë dhe më ka penalizuar shumë gjatë viteve”, thotë Bakraqi.

Për trajnerin e atletikës, Adrian Mazreku, i cili mundësoi me punën e tij që Grevist Bytyçi ta përfaqësonte Kosovën në Lojërat Paralimpike në sportin e atletikës në Paris vitin e kaluar, është e pakuptueshme që një shtet i tërë të mos e ketë së paku një shteg të atletikës.

“Këtu në Malishevë, ku ne bëjmë stërvitje, është një teren i vogël i atletikës. Po e them i vogël sepse i ka vetëm pesë shtigje dhe gjithë Kosova bën gara në këtë teren. Tani, llogorite një shtet i tërë të mos e ketë një stadium olimpik, kjo është problem. Të paktën duhet pasur një stadium vetëm për atletikë, edhe sikur të mos jetë olimpik, t’i plotësojë standardet kryesore dhe kjo është shumë e vështirë. Për një stërvitje, shumë atletë vijnë nga Peja, Mitrovica, Prizreni, Gjilani, Kamenica. Një stërvitje duhet të vinë ta bëjnë në Malishevë, duke i bërë 100 apo 200 kilometra vajtje-ardhje”, thotë Mazreku.

Por, një fije drite në fund të tunelit duket se po shihet edhe për këtë sport.

“Në Kamenicë, një stadium i cili i përket ekskluzivisht atletikës, por që mund të shfrytëzohet edhe nga të tjerët. I pari stadium pas sa viteve që jam në atletikë unë dhe të tjerë, kemi vënë një gurthemel që ta dimë se ai është stadium i atletikës...Edhe besoj që ndoshta më në fund, për pak vite do të kompletohet edhe Kosova me shtigjet më se të nevojshme, për t’i sjellë edhe shtetet tjera që të garojnë në Kosovë”, bën të ditur Sylejmani.

Të gjithë sportistët që merren me atletikë në Kosovë, stërvitjet e tyre i zhvillojnë në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, i cili ka vetëm pesë shtigje të atletikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat