Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, ka konsideruar 2024 si vit jashtëzakonisht të suksesshëm për sportin tonë duke thënë se dy medaljet e fituara në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” ishin pika më kulminante.
Përtej medaljeve, Krasniqi thotë se Kosova gjatë vitit të kaluar ishte edhe vendtakim i figurave më të rëndësishme të sportit botëror pasi u vizitua nga përfaqësues të rreth 40 shteteve përmes Platformës Evropiane të Sportit, por edhe në 10-vjetorin e anëtarësimit të KOK-ut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
Krasniqi: Vitin e kaluar kishim tri ngjarje të mëdha sportive në Kosovë
“Kanë qenë tri aktivitete më të rëndësishme për vitin 2024 duke filluar nga pjesëmarrja e Kosovës në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” ku Kosova u përfaqësua me një ekip të vogël, por mjaft të suksesshëm, me 9 pjesëmarrës dhe prej tyre i kemi dy medalje të arritura dhe vlen të theksohet Akil Gjakova, sepse jemi mësuar të marrim medalje vetëm nga vajzat, e kemi pasur shumë afër që edhe Akil Gjakova të shpërblehet me medalje, mirëpo nuk e pati fatin...Mandej e kemi pasur edhe Platformën Evropiane në Prishtinë menjëherë pas Lojërave Olimpikë në Paris. Është një aktivitet shumë i rëndësishëm për të gjithë Kosovën, sepse kanë qenë afër 40 shtete nga gjithë Evropa pjesëmarrës në këtë platformë...Kemi pasur edhe 10-vjetorin jubilar të pranimit të KOK-ut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, ka qenë një ngjarje jashtëzakonisht e madhe”, tha Krasniqi.
Sipas Krasniqit, aktivitetet e tilla i kanë hapur dyert federatave sportive që të kërkojnë organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare sportive në vendin tonë dhe se vitet e ardhshme pritet të jenë shumë produktive në këtë drejtim.
Krasniqi: Kosovës i janë hapur dyert për organizime të ngjarjeve të mëdha sportive
“Unë mendoj se Lojërat Mesdhetare i kanë dhënë një shtyllë shumë të madhe sportit të Kosovës në të gjithë arenën ndërkombëtare, sepse e gjithë bota është e informuar që Kosova e ka marrë një ngjarje madhore siç janë Lojërat Mesdhetare. Vetë fakti kur Kosova i merr Lojërat Mesdhetare do të thotë që i ka hapur një derë të madhe gjithë sportit në Kosovë dhe të gjitha federatave. Menjëherë ka filluar interesimi, sepse unë kam kontakt të përditshëm me të gjitha federatat dhe shoh që interesimi është shumë i madh i federatave për evente si kampionatet evropiane, botërore, ballkanike e mesdhetare. Ne jemi përkrahës të këtyre aktiviteteve dhe do t’i përkrahim maksimalisht”, tha Krasniqi.
Në intervistën për KosovaPress, Krasniqi ka folur edhe për Lojërat Mesdhetare në vitin 2030. Ai ka thënë se ekziston rreziku që të humbet e drejta e organizimit të këtyre lojërave nëse nuk punohet me ritmin e duhur në përgatitjen e infrastrukturës sportive dhe çështje tjera organizative.
Krasniqi: Nëse nuk punojmë, rrezikojmë t’i humbim Lojërat Mesdhetare
“Gjithçka është e mundur kur ne nuk punojmë. Ne duhet të punojmë, t’i tregojmë gjithë botës dhe të gjitha vendeve të cilat do të jenë pjesëmarrëse që jemi serioz dhe dimë të organizojmë. Pra, nuk duhet të neglizhojmë sepse neglizhenca na kushton shumë, por nuk besoj që do të vijë deri te ky moment, sepse secili e di vlerën dhe rëndësinë e kësaj ngjarjeje”, tha Krasniqi.
Mandati i Krasniqit në krye të KOK-ut skadon në muajin mars, por ai ka zbuluar për KosovaPress se do të kandidojë edhe për një mandat të ri katërvjeçar.
Krasniqi: Synoj edhe katër vjet në krye të KOK-ut
“Unë personalisht synoj edhe katër vjet, këtë e kam thënë edhe në vitin 2021 kur jam bërë kryetar që synimet e mia janë për dy mandate edhe vetë kam propozuar që në statut të jetë që një president t’i ketë vetëm dy mandate, jo më shumë sepse besoj se nuk ka çfarë të jap më shumë se dy mandate. Unë atë që kam synuar para katër vjetësh besoj se e kam arritur, ky ka qenë qëllimi im, strategjia ime, të gjitha premtimet që i kam dhënë jam munduar t’i mbajë dhe pse jo edhe t’i tejkalojë”, tha Krasniqi.
Kreu aktual i KOK-ut ka shpalosur edhe prioritetet e Komiteti Olimpik i Kosovës për vitin 2025.
Krasniqi: Për 2025 kemi dy prioritete, por qëllimi është të punojmë për LO 2028
“Për vitin 2025 do t’i përmendja dy evente shumë të rëndësishme - EYOF (Festivali Olimpik Evropian për të Rinj) dimëror dhe veror. EYOF dimëror është tani në shkurt 2025 Gjeorgji, kurse EYOF veror mbahet në Maqedoninë e Veriut... Mirëpo, padyshim që tema dhe qëllimi ynë kryesor është që menjëherë të fokusohemi në përgatitjen e atletëve për Lojërat Olimpike ‘Los Angelos Galaxy 2028’”, tha ai.
Krasniqi ka lavdëruar punën e federatave sportive duke thënë se secila prej tyre është duke bërë punë të palodhshme që sporti i Kosovës të fuqizohet dhe të ketë rezultate kulminante edhe në garat ndërkombëtare.