Federata e Taekwondos së Kosovës (FTWK) ka fituar të drejtën për të organizuar Kampionatin Evropian të Taekwondos U21, i cili do të mbahet me 11-14 Dhjetor 2025 në Prishtinë.
Kjo është hera e parë që Kosovës i besohet organizimi i një eventi kaq të rëndësishëm ndërkombëtar në këtë sport.
Kryetari i kësaj federate, Arsim Agushi, në një intervistë ka thënë se rreth 50 shtete të botës do të zbarkojnë në Prishtinë për të marrë pjesë në këtë kampionat.
Agushi: Afër 50 shtete marrin pjesë në këtë kampionat
“Ky kampionat është kampionat zyrtar evropian dhe në këtë kampionat pjesëmarrës do të jenë afër 50 shtete prej moshave 16 deri 21 vjeçare...Ne jemi duke analizuar dhe shikuar për lokacionin i cili është më i përshtatshëm dhe i cili i plotëson kriteret. I kemi dy opsione, Pallatin e Rinisë dhe palestrën ‘1 Tetori’”, thotë fillimisht Agushi.
I pari i FTKË-s thekson se ky do të jetë një rast unik që taekvondistët e Kosovë të dëshmojnë vlerat e tyre pasi ata do të kenë mundësi që të përfaqësohen në të gjitha disiplinat e këtij sporti.
Agushi: Do të jetë rast ideal që sportistët tanë të tregojnë vlerat e tyre
“Ky ka qenë edhe qëllimi për të cilin jam angazhuar maksimalisht që Kosova ta ketë një event të tilla ku sportistëve tanë t’iu jepet mundësia drejtpërdrejtë pa asnjë kualifikim si nikoqir që jemi, çdo kategori Kosova e ka nga një sportist të rezervuar kështu që u jepet mundësia më e madhe që të dëshmohen sepse ne kemi garuar dhe garojmë në të gjitha vendet e Evropës dhe botës por tani është hera e parë që në shtëpinë tonë mbahet ky kampionat dhe sportistët besoj që do të ndihen edhe më mirë dhe do të mundohen para shtetit të vet ta tregojnë veten”, vijon më tutje Agushi.
Por, kostoja e organizimit të kësaj ngjarje, sipas Agushit, do të jetë shumë e lartë, andaj ai ka kërkuar mbështetjen e Ministrisë së Sporti, Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës.
Agushi: Kostoja do të jetë shumë e lartë, rreth 1000 sportistë do të zbarkojnë në Prishtinë
“Ky event është shumë i madh ku kostoja e organizimit është një kosto shumë e madhe por kjo në bashkëpunim me Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport, Komitetin Olimpik dhe Komunën e Prishtinës do të mundohemi që ta realizojmë në mënyrën sa më të mirë...Për ta organizuar dhe për t’i pritur, sepse do të vijnë deri 1000 sportistë si dhe delegacionet, ekipet shtesë,, stafi, do të thotë është një numër i madh i njerëzve të cilët do të vijnë në Prishtinë.”, thekson Agushi.
Përtej këtij kampionati, Agushi thotë se objektivi afatgjatë i federatës që drejton është pjesëmarrja në Lojërat Olimpike ‘Los Angelos 2028”.
Agushi: Si federatë kemi synim Lojërat Olimpikë “LA 2028”
“Qëllimi im është masovizimi i këtij sporti, ngritja e kapaciteteve te burimet njerëzore, zhvillimi i infrastrukturës ku trajnerët, sportistët të kenë kushte më të mira për ta zhvilluar këtë sport që ndikon në rezultat. Bashkarisht me të gjithë do të mundohemi që këtë sport dhe poenta kryesore është Lojërat Olimpike në Los Angelos 2028 ku prej tani planifikojmë të fillojmë me përgatitjet, kemi një gjeneratë shumë të mirë të cilët janë premtues dhe kanë potencial për t’i arritur këto objektiva”, thotë në fund Agushi.
Përveç Taekwondos, dy javë më parë, Kosova fitoi edhe të drejtën e organizimit të Kampionatit Mesdhetar të Karatësë që do të zhvillohet në muajin shtator të këtij viti.