Edhe pokeri në Olimpiadë

Sporti

Edhe pokeri në Olimpiadë

Më: 5 shkurt 2025 Në ora: 18:10
Foto ilustrim

Ky sport mund të bëjë debutimin në Lojërat Olimpike “Brisbane 2032”!

Edhe pokeri mund të jetë pjesë e disiplinave të tjera sportive në Lojërat Olimpike. Por pyetja që vazhdon të mbajë të ndezur debatin është nëse mund të konsiderohet një sport apo një lojë fati. E koha kur Pokeri mund të bëjë debutimin e tij është Olimpiada “Brisbane 2032”. Gjithsesi vendimi i fundit do të jetë i IOC.

Pokeri mund të bëhet pjesë në Lojërat Olimpike, së bashku me sportet e shumta që çdo katër vjet bëhen të adhuruara për miliona sportdashës. Ka qenë Bild ai që dha lajmin duke parashikuar edhe kohën se kur mund të përfshihet pokeri në një olimpiadë. Duke e parë të pamundur në Los Angeles 2028, kjo disiplinë mund të bënte debutimin e saj olimpik në edicionin vijues, në Brisbane 2032.

Pika rreth së cilës rrotullohet i gjithë diskutimi është nëse pokeri mund të konsiderohet një sport apo thjesht një lojë letrash në të cilën fati është mbizotërues. Nuk ka unanimitet mendimesh për këtë çështje: për disa është një lojë e pastër fati, për të tjerë është një disiplinë shumë komplekse që kërkon mendim strategjik, rezistencë mendore dhe nerva prej çeliku.

Ata që mohojnë se pokeri është një lojë e pastër fati theksojnë se lojtarët më të mirë në botë fitojnë me kalimin e viteve jo sepse janë gjithmonë me fat, por sepse kanë mësuar të zbatojnë një strategji superiore nga ajo e kundërshtarëve të tyre. Një turne pokeri mund të zgjasë më shumë se dhjetë orë në ditë, për disa ditë rresht.

Pikat kritike për t'u marrë në konsideratë nga IOC për pranimin në Lojërat Olimpike të pokerit janë dy: problemi me imazhin që lidhet me lojërat e fatit, duke qenë se pokeri shpesh lidhet me kazinotë dhe varësinë ndaj lojërave të fatit, dhe më pas faktori i fatit, pasi ndryshe nga shahu apo bridge, rezultati i një dore të pokerit varet edhe nga letrat.

Por nëse shikoni turne të mëdhenj, kupton se fati mund të luajë një rol, por në fund lojtarët më të mirë fitojnë gjithmonë. Pra debati është i hapur.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat