Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se Kosova, vendi i rinisë, i teknologjisë dhe i inovacionit, përmes angazhimit të përbashkët ka arritur një sukses të madh - të drejtën për të organizuar Kampionatin Evropian të Esports përgjatë këtij viti.
“Sot nuk jemi mbledhur këtu vetëm për të dhënë një lajm, por së bashku po hapim një kapitull të ri për sportet elektronike në vendin tonë. Kosova, vendi i rinisë, i teknologjisë dhe i inovacionit, përmes angazhimit të secilit prej jush, ka arritur një sukses të madh – të drejtën për të organizuar Kampionatin Evropian të Esports përgjatë këtij viti.” kështu u shpreh kryeministri Kurti në hapjen e ngjarjes së organizuar në Prishtina Tech Park, duke njoftuar për organizimin e Kampionatit Evropian të Esports në Kosovë”, tha Kurti.
Bëhet e ditur se në këtë ngjarje kryeministri Kurti mori pjesë bashkë edhe me zëvendësministren e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.
“Ky kampionat do të sjellë në Prishtinë Counter-Strike 2 dhe Dota 2, me mbi 250 garues nga 45 shtete. Këtu, në zemër të Kosovës, do të kemi lojtarët më të mirë nga e gjithë Evropa, të cilët deri dje i kemi parë vetëm nëpër ekranet tona, e tani do t’i shohim live duke garuar në vendin tonë”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se kjo ngjarje e mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është rezultat i angazhimit edhe të përbashkët, edhe të fuqishëm, edhe të vazhdueshëm.
Tutje, ai shprehu se Kosova nuk është vetëm nikoqire e mirë, por edhe lojtare e fortë. “Ne tashmë kemi treguar se dimë të luajmë në ligën e të mëdhenjve - me Bad News Eagles që kanë bërë histori me tri pjesëmarrje në Major, dhe përfaqësuesen e Kosovës në Dota 2, që arriti në Top 3-she në Kampionatin Botëror 2021”.