I përkushtuar në punë deri në pikën e fundit, një profesionist që se ka shoqin, nga dora e tij kanë dalur shumë talente që po shquhen me rezultate në garat e nivelit më të lartë Evropian.
Është fjala për kryetrajnerin e Sharrit të Ferizajt, Qëndrim Shaqiri.
Dy garuesit e tij janë në finalen e madhe në Kampionatin Evropian që po mbahet në Bielko Biala të Polonisë.
Karateistet Behije Mustafa në kategorinë -68 kg U-21 dhe Lijana Iseni në – 61 kg, dy trimëresha që synojnë titullin e kampionit të Evropës.
Të dyja janë të klubit Sharri dhe reprezentuse të Kosovës.
Qëndrim Shaqiri, shpreh krenarinë për këtë sukses historik të garuesve të tij, për shtetin e Kosovës.
“Ky është një moment historik dhe një arritje madhështore për sportin e karatesë në Kosovë. Klubi ynë Sharri ka bërë histori jo vetëm për qytetin e Ferizajt dhe për Federatën e Karatesë së Kosovës, Kosovën por edhe për gjithë shqiptarët.
Për herë të parë, një klub shqiptar udhëton për të përfaqësuar Kosovën në Kampionatin Evropian me dy garuese, dhe të dyja arrijnë të kualifikohen në finalen e madhe”, thotë Shaqiri për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Shaqiri tha se ky arritje në finale me dy garuset e tij është fryt i punës: “Ky rezultat është fryt i një pune të gjatë, të përkushtuar dhe një sakrifice të palodhshme të stafit të trajnerëve dhe garuesve tanë. Përmes disiplinës, punës sistematike dhe mbështetjes së vazhdueshme nga prindërit dhe komuniteti ynë sportiv, këta të rinj arritën të bëhen shembull i përkushtimit dhe suksesit.
Ky sukses dëshmon se kur ka përkushtim dhe vullnet, edhe ëndrrat më të mëdha mund të realizohen. Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë rrugëtim — stafin tim, familjet e garuesve, Federatën e Karatesë së Kosovës dhe të gjithë ata që na kanë dhënë mbështetje morale dhe logjistike. Jam krenar për këtë ekip dhe për faktin se po ngrisim emrin e Kosovës dhe Ferizajt në nivele ndërkombëtare”.