Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u mbajt mbrëmjen e së dielës ngjarja më e madhe sportive e vitit, finalja e famshme e Super Bowl që vendosi përballë Philadelfia Eagles dhe Kansas City Chiefs.
Sfida e zhvilluar në stadiumin “Caesars Superdome” në New Orleans u ndoq nga miliona njerëz në mbarë botën, ndërsa si zakonisht në arenë nuk munguan yje të sportit dhe hollivudit.
Finalja e edicionit të 59-të të Super Bowl nuk pati aspak histori, pasi u karakterizua nga një dominim absolut i Philadelphia Eagles. “Shqiponjat” e Pensilvanisë mposhtën 40-22 Kansas City Chiefs, duke i ulur nga froni këta të fundit si kampionë në NFL.
Një fitore që kishte shijen e hakmarrjes për humbjen e pësuar në vitin 2022, teksa Jalen Hurts (MVP) me shokë bënë ligjin në fushë, duke i mohuar ekipit të Chiefs fitoren e tretë radhazi të këtij turneu.
Finalja nisi e ekuilibruar, por shpejt Philadelphia Eagles mori komandën e lojës, duke bërë një presion të fortë. Kjo bën që çereku i parë të përfundojë 7-0 për “shqiponjat”. Dominimi i skuadrës i Eagles vijon edhe në çerekun e dytë, duke u shkëputur 24-0 në përfundim të pjesës së parë.
Një pjesë e parë e luajtur në sens unik në favor të Eagles, që tregoi qartë mobilizimin maksimal të tyre për të triumfuar në këtë finale. Skuadra e Kansas City ishte shumë e lexueshme në lojën e saj dhe nuk arriti të dilte nga zona e tyre. Kështu Chiefs e kishin të vështirë të thyenin murin mbrojtës të Eagles, që shkëputet deri në 34-0 para se rivalët të shënonin pikët e para (34-7). Për Hurts me shokë fundi i ndeshjes ishte një menaxhim i avantazhit dhe kohës, duke e merituar fitoren, me sfidën që u mbyll përfundimisht me rezultatin 40-22.
Përveç VIP-ave të shumtë, finalen e ndoqi nga afër edhe presidenti Donald Trump, i cili u largua para kohe, pa u mbyllur ndeshja në “Caesars Superdome”. Trump kishte parashikuar fitoren e Kansas City Chiefs, duke deklaruar se diferencën në fushë do ta bënte Patrick Mahomes, por presidenti i SHBA-ve nuk qëlloi në shenjë me parashikimin e tij.
Ndërkohë gjatë spektaklit mes dy pjesëve u shënua edhe një incident, teksa u arrestua një balerin, i cili shpalosi flamurin e Palestinës dhe të Sudanit gjatë kohës kur po performonte Kendrick Lamar.