Kararaisti i talentuar, Aid Curri, ka shënuar sukses të madh në Bielsko – Biala të Polonisë.
Curri është stolisur me medalje të bronztë në Kampionatin Europian për kadetë, juniorë dhe U21.
Një sukses i madh që e bën krenar selektorin e kombëtares së Kosovës, Isak Curri.
Aid Curri është edhe anëtar i klubit të karatesë Besa nga Lluzhani i Podujevës.
“Aid Curri, përfaqësues i Republikës së Kosovës, ka shënuar një arritje të madhe në arenën ndërkombëtare duke fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Europian të 52-të për kadetë, juniorë dhe U21, i cili u mbajt në Bielsko-Biala të Polonisë.
Ky sukses është rezultat i përkushtimit, disiplinës dhe punës së palodhshme të Aid Currit dhe klubit të karatesë Besa Lluzhan”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot” Isak Curri, trajner i KA Besa Lluzhan.
Curri shprehet se Aidi ka dëshmuar klasin e tij në Evropian: “Ai po vazhdon të lartësojnë emrin e Kosovës në sportin ndërkombëtar, duke dëshmuar talentin dhe përgatitjen e jashtëzakonshme të një sportisti ndërkombëtar”.
Aid Curri vjen nga një familje me traditë të karatesë.
Më së miri ka treguar Isak Curri: “Aid Curri është pasardhës i një tradite familjare tashmë të dëshmuar prej dekadash në karate, duke nderuar trashëgiminë e të ndjerit Rrahim Curri, ish - karatist i njohur i viteve 1985 - 1990, kampion i Kosovës dhe pjesëmarrës në kampionatet e ish - Jugosllavisë.
Kjo arritje është një tjetër dëshmi e potencialit të madh të sportistëve tanë dhe një motivim i fortë për gjeneratat e reja që të ndjekin rrugën e suksesit në karate dhe sportin në përgjithësi”.