Lulzim Shala dha një kontribut të çmuar për 40 vite në sport, si gazetar sportiv dhe si mbështetës i pavarësimit të sportit të Kosovës.
Karrierën e nisi në vitin 1979 në gazetën Rilindja, për të vazhduar më pas në Radio Televizionin e Prishtinës dhe Radion Prishtina.
Si shumë punëtorë të tjerë, në vitin 1990 u përjashtua nga puna nga regjimi serb dhe në të njëjtin vit u burgos nga policia serbe. Pas pavarësimit të sportit të Kosovës, Shala u angazhua si redaktor në Revistën Sportive Ippon, ku raportoi për ngjarjet nga futbolli, basketbolli, volejbolli, hendbolli dhe karateja, me shkrime që botoheshin edhe në gazetën Bujku.
Nga viti 1995 deri në vitin 2001 ishte anëtar i kryesisë së Komitetit Olimpik të Kosovës.
Pas luftës, vazhdoi aktivitetin e tij si gazetar në gazetën Zëri për rreth një dekadë. Në vitin 2010 iu bashkua Radio Televizionit të Kosovës, ku realizoi emisione të ndryshme sportive në Radio Kosovë, për t’u pensionuar pas katër dekadash kontribut të palodhur në sportin e Kosovës.