Shqipëria merr vetëm 1 medalje

Sporti

Shqipëria merr vetëm 1 medalje

Më: 2 mars 2025 Në ora: 20:55
Pamje nga gara

Ka ulur sot pasdite siparin turneu ndërkombëtar i mundjes “Ranking Series Muhamet Malo”, një event i jashtëzakonshëm organizuar nga FSHM, ku morën pjesë mbi 700 sportistë nga e gjithë bota.

Shqipëria e mbylli këtë turne vetëm me një medalje të artë të fituar nga Chermen Valiev (bronz në Olimpiadë), ndërsa mundësit e tjerë kuqezinj nuk mundën të hyjnë në zonën e medaljeve.

Një turne që mban emrin e një prej figurave më të shquara të këtij sporti, Muhamed Malo, ish-kampion e ish-president i Federatës. Ky event ka vite që organizohet në vendin tonë, por tashmë ka kaluar në stadin e “Ranking Series”.

Sot u zhvilluan duelet e ditës së fundit në stilin greko-romak. Në peshën 55kg, mundësit Andi Muca e Bajram Sina nuk arritën dot të fitojnë medalje. Muca, pasi u mund 9-0 nga turku Emre Mutlu, u ripeshkua.

Ai pati shansin të duelojë për medaljen e bronztë ndaj kazakut Yerassyl Mamyrbekov, por u mund 9-0, duke mos marrë dot medalje. Më herët, Bajram Sina ishte mundur 8-0 nga Yersin Abyir.

Edhe në peshën 60kg, mundësi Ergi Uku nuk ka shumë fat. Ai humbet 11-0 ndaj japonezit Yu Shiotani. Pasi ripeshkohet, ai duelon dhe humbet 10-0 ndaj egjiptianit Ali Abdollah Vafa, duke u eliminuar.

Në peshën 72kg, u eliminuan edhe mundësit Xhorxh Frrokaj (u mund 8-0 nga rusi Nikolay Khakpo) dhe Emiljano Tafa (u mund 8-0 nga gjeorgjiani Otar Abuladze). E njëjta gjë edhe në peshën 82kg, ku mundësi Boris frrokaj u mund 8-0 nga Dias Kaltay.

Ndërsa mundësi Kelsi Nelaj u eliminua që në eliminatore nga Shahin Badaghimofrad i Katarit, që fitoi 8-0. Në peshën 130kg, mundësi Rigers Kurti u mund 4-0 nga kinezi Wenhao Jiang, duke u eliminuar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat