Në Strugë, spitali modular për pacientët me Kovid 19 duhet të vihet në funksion, e shumta, deri në fund të janarit. Por mungojnë infermierë, personel teknik dhe mjekë. Personeli aktual nuk do të mundet të plotësojë tërësisht nevojat e Qendrës së re për Kovid, paralajmërojnë drejtuesit e spitalit.
Aktualisht në spitalin e Strugës, në mungesë të një reparti infektiv, reparti i mjekësisë interne dhe i fëmijëve janë ripërshtatur në qendra kovid.
“E shihni se po ndërtohen barakat modulare, kështu që edhe për këtu do të duhet personel. Ndikimi do të jetë më i madh atje me personelin dhe ilaçet. “Problemi më i madh është që personeli bëhet pozitiv edhe ata sëmuren”-tha Donço Lozhankoski, drejtor i Shtëpisë së shëndetit në Strugë.
Edhe shtëpia e shëndetit në Strugë përballet me mungesë të personelit sepse ndihma e shpejtë përballet me një vëllim të shtuar pune. Ajo përfshin një territor prej rreth 60,000 banorë dhe dhjetëra vendbanime. Ndryshe, në Strugë numri i pacientëve me kovid të shtruar në spital aktualisht është tridhjetë, ndërsa në Ohër ai numër është 65. Nga spitali i Ohrit thotë se ata do të përpiqen me personelin ekzistues të plotësojnë nevojat e spitalit modular që po ndërtohet në Ohër.