Teksa plazhet e Ohrit janë ende të bllokuara në procese institucionale, siç thotë kryetari Kiril Pecakov, në bregun e liqenit të Strugës kryetari, Ramiz Merko paralajmëron se do të rregullohen plazhe të reja.
Pavarësisht vërejtjeve të UNESCO-s për bregun e liqenit dhe ndërtimeve pa kriter dhe pavarësisht reagimit të Organizatave Jo Qeveritare, Merko thotë se plazhet e reja do të kenë paisje bashkëkohore.
“Do të ketë lokale, shezllone, çadra dhe pajisje urbane. Lokacionet do të jepen me qira sipas modelit ekzistues, me marrëveshje qiraje të llogaritura nga bashkia”, tha Merko.
Ai beson se turizmi nuk guxon dhe nuk mund të qëndrojë pa hapësira dhe i penalizuar derisa Agjencia të përgatisë planin për plazhet e Ohrit.
Kryetari i Komunës së Strugës mbetet i mendimit se objektet hoteliere dhe pajisjet urbane në plazhe nuk janë ndërtime pa leje.
Parashikimet janë që këtë verë në qytetin e Strugës do të kalojë një numër dukshëm më i madh i turistëve vendas dhe të huaj se në dy vitet e fundit.