​“Drita e Gonxhës” dhuroi freski mbi dallgët liqenore të Strugës

Struga

​“Drita e Gonxhës” dhuroi freski mbi dallgët liqenore të Strugës

Më: 27 gusht 2022 Në ora: 18:22
Pamje nga takimi

Sot në Strugë udhëtoi karvani i Manifestimit shkencor –kulturor “Drita e Gonxhës”, me ç’rast para një auditoriumi të zgjedhur u prezantua strategjia e punës së Departamentit për trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë pranë ITSHKSH-së.

Aktiviteti u mbajt në bashkëpunim me Këshillin e komunës së Strugës, ndërsa kryetarja e këtij këshilli, Arbëresha Vlashi në emër të kryetarit Ramiz Merko dhe të anëtarëve të Këshillit komunal, shprehu kënaqësinë që ITSHKSH kishte zgjedhur pikërisht Strugën për të shpalosur ditën e dytë të edicionit të dytë të manifestimit “Drita e Gonxhës”.

Koordinatori i këtij manifestimi dhe kryeredaktori i revistës “Drita e Gonxhës, Emin Azemi, pasi iu dëshiroi mirëseardhje të ftuarve, prezantoi shkurtimisht përmbajtjen dhe ecurinë e këtij manifestimi, duke potencuar që në të ardhmen edhe nga ky rajon pritet të ketë njerëz që do të përfshihen në projektet dhe studimet që do të jenë pjesë e revistës “Drita e Gonxhës”.

Struga si pjesë e gjeografisë kërkimore-shkencore paraqet një target të rëndësishëm në hartën e trashëgimisë shpirtërore të ITSHKSH-së, tha drejtori Skender Asani. Prandaj jo rastësisht, sipas tij, edhe në Strugë do të funksionojë Qendra e trashëgimisë kulturore e cila do të mbulojë një gamë të gjerë aktivitetesh kërkimore në Pellgun e Ohrit.

“Struga dhe strugantët historikisht kanë luajtur rol të rëndësishëm në proceset ndërgjegjësuese të popullit shqiptar, duke filluar nga periudha e pas LDB-së, në demonstratat e 68-tës dhe 81-shit deri te rezistenca e UÇK-së. Nga ky rajon kanë dalë personalitete të shquara, të cilët me atdhetarinë e tyre ndikuan në përshpejtimin e proceseve liridashëse e shtet-ndërtuese të shqiptarëve”, tha Asani.

Ndërsa Izmit Nura, zëvendësdrejtor i Agjencisë për Emigracion, tha se një popull që nxjerr nga gjiri i vet figura të mëdha ka përgjegjësinë më të madhe, sepse në njërën anë duhet të ndjekë modelin që përfaqëson ajo figurë, dhe në anën tjetër, duhet ta ruajë atë figurë nga trajtat e ndryshme të abuzimit, sepse jo rrallë ato edhe keqpërdoren nga struktura të ndryshme konjukturale.

“Nënë Tereza për fat të mirë nuk mund të futet në asnjë kallëp që ia caktojnë të tjerët, sepse ajo veproi jashtë kornizave dhe jashtë kanoneve të shkruara e të pashkruara. Ajo kishte filozofinë e saj origjinale të të menduarit dhe vepruarit dhe si e tillë ajo ofroi mirësinë dhe butësinë njerëzore në komunkimin e përditshëm”, nënvizoi Nura.

Pjesë e këtij aktiviteti, ishte edhe atmosfera artistike që solli aktori Xhevat Limani, i cili për audiencën fali emocione pasi deklamoi disa vargje nga Nëna Tereze.

Takimi me struganët përfundoi me ndarjen e mirënjohjes për Irfan Vlashin, një atdhetar dhe veprimtar i dalluar i këtij rajoni, me çka kontributi i tij nuk mund të mos ishte në fokusin e ITSHKSH-së.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat