E goditi me veturë dhe e la të shtrirë në rrugë. Kjo ngjarje ka ndodhur në Strugë më 9 janar, kur një veturë goditi një 58 vjeçare nga Shqipëria, e cila jeton dhe vepron në Strugë.
E aksidentuara është dërguar në spitalin “Shën Erazmo” në Ohër pas lëndimeve të rënda trupore. Ajo ka kryer një operacion dhe po përgatitet për operacionin e dytë.
“Para disa ditëve një grua nga Shqipëria u shkel te vijat e bardha afër fakultetit FON , personi që e shkeli e la gruan dhe iku. Pas një kohe, gjysmë ore, apo një orë, kishte kaluar një person rasti e kishte parë gruan dhe ishte lajmëruar tek ndihma e shpejtë”, tha Shkëlzen Ajrualli nga organizata bamirëse ” Bamirësit Strugë”.
Kjo shtetase e Shqipërisë ka jetuar dhe punuar pa dokumentacionin e rregullt në Strugë dhe çdo shërbim mjekësorë duhet ta kryej privatisht. Për ta ndihmuar zonjën rastin e ka marr shoqata “Bamirësit e Strugës” të cilët mblodhën fonde për njërin operacion i cili kushtoi mbi 3000 euro. Tani po mbledhin fonde për operacionin e dytë.
“Operacioni përfshin 2700 euro dhe atë natë që i kishin bërë disa ndërhyrje të tjera në të nesërmen na erdhi fatura 3100 euro, ndërsa në vazhdim nuk e dimë sa do të kushtojë dhe sa ditë duhet të qëndrojë në spital. Deri tani është mbledhur shuma e nevojshme për operacionin dhe për atë natë që ka ndenjur 3100 euro”, shtoi Ajrualli.
Nga policia e Strugës thonë se ende nuk ka asnjë zhvillim sa i takon rastit në fjalë. Autori ende nuk është gjetur dhe nuk është zbuluar se si ka ndodhur ngjarja në të vërtetë.
“Njësia për Punë të Brendshme Strugë po ndërmerr masa dhe aktivitete për zbardhjen e rastit nga data 09.01.2023, për të cilin është raportuar se një automjet ka goditur MD (58), nga Republika e Shqipërisë dhe i njëjti është larguar nga vendi i ngjarjes. Pas zbardhjes së plotë të rastit do të jepet lajmërim plotësues”, tha Merlin Islami zëdhënës SPB-Ohër.
Autoritet apelojnë që personi në fjalë të paraqitet në polici, ndërsa kërkojnë nga qytetarët që të jenë sa më të kujdesshëm gjatë vozitjes nëpër zonat e banuara. Së fundmi janë evidentuar disa raste me pasoja të rënda ku personat janë shkelur në vizbardha.