Shtyhet gjykimi për rastin e lehonës nga Struga, avokati i të akuzuarës nuk u paraqit në seancë

Struga

Shtyhet gjykimi për rastin e lehonës nga Struga, avokati i të akuzuarës nuk u paraqit në seancë

Më: 10 mars 2023 Në ora: 15:11
Foto ilustrim

Ende pa filluar, u mbyll seanca e tretë gjyqësore për lehonën Jeldaz Veaposka, e cila pretendon se në vitin 2020 pasi lindi në Strugë Iu morën disa organet. Seanca u shty për shkak se mungoi avokati i mjekes së akuzuar Liljana Jovanoska. Avokati i të dëmtuarës, Sasho Janev, tha se shpesh avokatët e të akuzuarve përdorin taktika të tilla për t’i zvarritur seancat, por megjithatë ai shpreson se këtë rast nuk ka të bëjë me këtë taktikë.

“Secili avokat ka taktikën e tij, unë sinqerisht nuk mendoj se kjo është pjesë e taktikës, megjithatë shumë kohë po kalon për këtë gjykim, shpresoj se seanca e radhës do të përshpejtohet e gjithë procedura dhe do të vijë deri në gjykimin e shkallës së parë në kohë sa më të shkurtër”, tha Sasho Janev, avokat i Jeldaz Veaposkës.

E dëmtuara Jeldaz Veaposka thotë se rasti ka filluar me zvarritje që në fillim, por edhe ajo shpreson se do të vijë dita kur drejtësia do të triumfojë.

“Procesi po zvarritet që prej fillimit, duke filluar nga Oda e Mjekëve si dhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe deri këtu. Unë mendoj se edhe sa e sa të shtyhet procedura një ditë do të vijë fundi dhe mendoj se e vërteta dhe drejtësia do të mbizotërojnë në këtë rast”, tha e dëmtuara Veaposka.

Veaposka akuzë ka ngritur kundër të pandehurve mjekëve gjinekolog Muhamed dhe Blerton Asani si dhe Liliana Jovanoskës. Mjekët e mohojnë akuzën dhe thonë se në rastin e lehonës Veaposka nuk ka asnjë gabim mjekësor. Seanca e radhës pritet të mbahet më 9 maj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat