Një nga tragjikomeditë më të mira shqiptare, “Ata hynë pa trokitur”, është vënë në skenë në një nga teatrot më të mëdha të Kroacisë. Komuniteti i arbëreshëve të Kroacisë mori përsipër këtë iniciativë artistike, ndaj ajo pati jehonë të madhe gjatë festave të nëntorit.
Vepra e zhanrit absurd shkruar nga Armand Bora dhe me regji të Leonard Hamitajt është shfaqur për herë të parë në Kroaci, duke sjellë para publikut ndërthurjen e elementëve të absurdit, komedisë me tragjedinë, sarkazëm dhe ironi.
Tragjikomedia është interpretuar nga vetë regjisori që ka rol protagonist dhe aktorja kroate Ana-Marija Burušić.
Subjekti i veprës sjell në vëmendje marrëdhëniet e vështira bashkëshortore në kohën e regjimit totalitar në Shqipëri. Një çift i cili për shkak të sistemit dhe faktit që pritet të internohen përjetojnë vështirësi në marrëdhënie pavarësisht dashurisë së tyre te madhe për njëri-tjetrin. Absurdi i marrëdhënies së tyre reflektohet pikërisht në faktin se gjatë gjithë kohës ata kërkojnë të gjejnë shkakun dhe gabimin që është bërë dhe atë kërkojnë ta gjejnë tek njëri-tjetri.
Vazhdimisht paketojnë rrobat, duke përgatitur t’i marrin me vete në rast internimin e detyruar. Burri është një artist, muzikant me profesion, një person emocional, i lidhur me gruan e tij nga dashuria sublime dhe mbizotërimi irritues i situatave të vogla të jetës së përditshme që përbëjnë jetën e tyre. Gruaja, megjithëse nuk ka një profesion specifik, simbolizon bukurinë fizike dhe shpirtërore. Autori Bora konfirmon se drama është frymëzuar nga historia e çiftit të njohur aktorëve Pirro dhe Pavlina Mani, që nuk tregon jetën e tyre, por është një dedikim dhe kujtim të tyre.